Viti 2024 regjistroi mbi 1 milion vizitorë në zonat e mbrojtura të Shkodrës.
Thethi, si pjesë e Parkut Kombëtar të Alpeve, dhe lumi i Shalës ishin dy nga destinacionet më të populluara.
Bashkëpunimi mes operatorëve turistikë dhe mikpritësve të bujtinave vendase ka rezultuar efikas për sa i përket rritjes së numrit të vizitorëve, por gjithashtu ka diktuar edhe sfida të reja.
"Bashkëpunimi i të gjithëve me qëllim rritjen e numrit të turistëve, por njëkohësisht edhe ruajtjen e natyrës, ka çuar në rritjen e numrit të turistëve. Kjo na ka vënë përpara disa sfidave të mëdha, siç është mirëmbajtja e shtigjeve, pastërtia dhe ndotja e lumenjve e krejt natyrës," tregon Agim Dardha, drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Shkodër.
Një përmirësim i ndjeshëm është vënë re në vitin që lamë për sa i përket mbajtjes pastër të mjedisit.
"Kemi rastin e Thethit, ku kemi shtuar numrin e koshave nga bashkia, është bërë rrethimi i tyre që të jenë më në harmoni me natyrën dhe kryesisht ndërgjegjësimi i bujtinave," shton z. Dardha.
Shkodra, me sipërfaqen e madhe të zonave të mbrojtura, përbën një nga potencialet më të rëndësishme të vendit sa i përket turizmit të natyrës, kulturës dhe historisë.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/