Janë shuar flakët në fabrikën e bojërave në Maminas, ndërsa fatmirësisht nga zjarri nuk ka patur persona të lënduar. Shefi i ndërhyrjes operacionale Durrës, Mariglen Muça në një lidhje direkte për RTSH 24, bëri me dije se dëmi material i shkaktuar është i konsiderueshëm. I pyetur mbi shkaqet e zjarrit, ai u shpreh se nuk ka ende informacion, pasi pritet përgjigjja e ekspertizës.
“Dëmi duket i konsiderueshëm, por nuk kemi bërë akoma një bilanc. Për shkaqet e zjarrit nuk e kemi informacionet sepse duhet të bëhet ekspertiza, pro pa u shuar totalisht flakët, nuk mund të fillojë puna për ekspertizën”, u shpreh Muça.
Në lidhje praninë e lëndëve kimike në fabrikë, Muça tha se u morën masat për të shmangur rrezikun.
“Ka patur rrezik për pjesën e lëndëve kimike, erdhën ekspertët, u bllokua autostrada sepse ishte frika e shpërthimeve. Lëndët kimike kanë qenë të llojeve të ndryshme sepse aty ka lëndë që përpunohen, lëndë lehtësisht të djegshme”, u shpreh ai.
Një zjarr me përmasa të mëdha përfshiu një fabrikë bojërash në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Maminasit mbrëmjen e së shtunës (23 shtator). Për çështje sigurie u bllokua përkohësisht autostrada Durrës-Tiranë dhe lëvizja do të devijohet në rrugët dytësore.
/rtsh.al/