Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë firmosur sot (15 janar) marrëveshjen për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë. Dokumenti u nënshkrua në Abu-Dabi, ku kryeministri Edi Rama ndodhet edhe në kuadër të Javës së Qëndrueshmërisë.
Përmes një video-mesazhi, Rama informoi se pas investimit tripalësh gati 1 miliard euro, Shqipëria do të rritë pavarësinë nga importet e energjisë dhe do të marrë rolin e eksportuesit drejt Bashkimit Europian. Plani është që lidhja të jetë operacionale brenda tri viteve.
“Për pak do të vendosim një tjetër gur kilometrik në rrugën tonë kundrejt pavarësisë energjetike. Së bashku me kryeministren e Italisë, miken e shtrenjtë Giorgia Meloni (lex. Xhorxha) me ftesë të Presidentit të Emirateve të Bashkuara, një tjetër mik i posaçëm Sheiku Mohamed bin Zayed Al Nahyan, finalizojmë marrëveshjen trilaterale për lidhjen nënujore energjetike ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë. Lidhja do të ketë një pronësi të trefishtë dhe do të mbështetet nga investimet domethënëse të përbashkëta në rritjen e kapaciteteve prodhuese të Shqipërisë", tha Rama.
Partineriteti tripalësh synon prodhimin e energjisë së gjelbër në Shqipëri dhe eksportimin e saj drejt Italisë përmes kabllove nënujore nga Vlora drejt qytetit jugor të Puljes. Në procesin ndërtimor do të përfshihet operatori italian i rrjetit energjetik Terna me kontributin e Kompanisë Kombëtare të Energjisë të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kryeministrja Meloni e konsideroi këtë një projekt ambicioz mes dy brigjeve të Adriatikut.
“Një ndërlidhje të re energjetike, për të prodhuar energji të gjelbër në Shqipëri dhe për të eksportuar një pjesë të saj në Itali, falë një kablloje nëndetëse në Adriatik. Një projekt që përfshin tre qeveritë tona, si dhe sektorët tanë privatë dhe operatorët tanë të rrjetit", u shpreh Meloni.
Gjithashtu, Rama foli dhe për energjinë diellore që, sipas tij, ka kaluar nga zero në afro 10% të prodhimit tonë të brendshëm energjetik, teksa premtoi se do të shkojë në 30%, nëse PS-ja fiton një mandat të katërt qeverisës. Sipas Ramës, Shqipëria është sot vendi me kapacitetin më të lartë vete prodhuesve familjar apo biznese nga energjia diellore në rajon.
“Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon që nuk e rriti çmimin e energjisë gjatë krizës europiane përgjatë vitit 2022-2023. që nga data 1 shkurt Shqipëria do të bëhet zyrtarisht i vetmi vend europian që ul çmimin e energjisë. Jo pak por 10.5%. Me këtë masë që rentabilizon në funksion të mbi 1 milion të konsumatorëve arritjet e deri këtushme të reformës rrënjësore dhe investimeve domethënëse në sektorin e energjisë në bëhemi ndër vendet me çmim më të ulët në Europë dhe nga më të ulëtit në rajon. Si dhe i kursejmë qytetarëve tanë 31 milion euro në vit nga fatura e energjisë elektrike", u shpreh ai.
/rtsh.al/