Kosova ka mbyllur institucionet paralele të Serbisë në dhjetë komuna të ndryshme. Lajmi u bë me dije nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili tha se janë mbyllur komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore.
“Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës. Sot janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale. Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cenojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë”, shkruan Sveçla.
Serbia e ka konsideruar këtë si një “lëvizje agresive” nga Kosova. Drejtori i Zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviç tha se një veprim i tillë vë në pikëpyetje vetë përpjekjet për dialog mes dy vendeve.
"Në Bruksel, u njoha nga lajmi për sulmin e Kurtit ndaj institucioneve serbe në një shkallë të madhe. Me delegacionin e Beogradit, erdha me synimin për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur sot, ndërsa Kurti dhe Prishtina zgjodhën rrugën e dhunës dhe lëvizjeve të njëanshme. Një terror i tillë vë në pikëpyetje vetë dialogun. Është e qartë se ky nuk është vetëm faji i Kurtit. Përgjegjësia është edhe e Bashkimit Evropian!", shkroi ai.
/rtsh.al/