Kryebashkiaku i Ersekës Erjon Isai është paraqitur këtë të mërkurë (15 janar) në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për një kalëlzim të bërë ndaj tij në vitin 2023 në lidhje me disa tendera të kryera nga institucioni që drejton.
Isai u pyet nga hetues të BKH-së për gati një orë, ndërsa në dalje me mediat tha se ishte në SPAK si deklarues.
Kallëzimin ndaj tij është bërë nën dyshimin se ka kryer disa vepra penale: "shpërdorimi i detyrës", "korrupsion pasiv dhe aktiv", "fshehje e pasurisë" dhe për "shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike".
Kjo është hera e dytë që Isai paraqitet në Prokurorinë e Posaçme. Më herët ai u thirr mbi tenderin e rrugës Korçë-Ersekë, denoncim i opozitës për paracaktimin e fituesit.
Isai nuk është kryebashkiaku i parë që paraqitet në SPAK. Kujtojmë se me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme u shpall fajtor për shkelje të barazisë në tendera ish-kryetari i bashkisë së Lushnjës Fatos Tushe, i shkarkuar. Por, për abuzimet me tenderat përfundoi në prangat e SPAK edhe kryetari i bashkisë së Buqlizës Lefter Alla, i cili dyshohet se njëherazi shpërdoroi detyrën duke abuzuar me procedurat e prokurimit për ndërtimin e një ujësjellësi.
Edhe Qerim Ismailaj u dënua nga Gjykata e Posaçme mbasi nuk kishte deklaruar në formularë një dënim në Greqi, një vendim i cili u konvertua në 40 orë punë me interes publik dhe që ende nuk ka marrë formë të prerë.
/rtsh.al/