RTSH 24 Live

Kosovë

Zhvillimi ekonomik i Kosovës, Kurti pret presidentin e Eurochambres

23/10/2024

Zhvillimi ekonomik i Kosovës, Kurti pret presidentin e Eurochambres

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi ka mirëpritur Vladimír Dlouhy, president i Eurochambres, shoqatë e Dhomave Ekonomike evropiane.  

Dlouhy është ekonomist i njohur nga Çekia, me përvojë të gjerë edhe në politikë, si ish-ministër i ekonomisë së Republikës Çeke.

Sipas njoftimit nga zyra e Kryeministrit Kurti, në këtë takim është diskutuar rëndësia e krijimit të kushteve sa më të favorshme të të bërit biznes, ofertën e vendit tonë për bizneset e huaja, dhe përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës përmes investimeve të përbashkëta dhe inovacionit.

Eurochambres, e themeluar në vitin 1958, përfaqëson mbi 20 milionë biznese nëpërmjet 1700 odave ekonomike anëtare në të gjithë Evropën. Në mesin e tyre anëtare është edhe Oda Ekonomike e Kosovës.

Në takim morën pjesë gjithashtu Ben Butters, Sekretar i Eurochambres, Lulzim Rafuna, President i Odës Ekonomike të Kosovës dhe Besim Mustafa, Drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Odën Ekonomike të Kosovës.

/rtsh.al/