RTSH 24 Live

Kosovë

Kurti, kritika marrëveshjes Shqipëri-Itali, kryeministri thekson rrezikun e të drejtave të njeriut në qendrat e emigrantëve

21 orë para

Kurti, kritika marrëveshjes Shqipëri-Itali, kryeministri thekson rrezikun e të drejtave të njeriut në qendrat e emigrantëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur rezerva ndaj marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët. Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari të një medie ndërkombëtare, nëse  modeli i marrëveshjes Rama-Meloni duhet të ndiqet edhe nga vendet e tjera, Kurti u shpreh  se kjo lloj marrëveshjeje nuk ishte një zgjidhje e qëndrueshme. 

Ai tha se ndërtimi i qendrave të riatdhesimit, mund të rrezikojnë respektimin e të drejtave të individëve të burgosur. “Nëse qendra riatdhesimi të ngjashme me ato në Shqipëri mund të ndërtohen në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si mund të sigurohemi që të drejtat e individëve të burgosur të respektohen?”, - u shpreh ai, duke shtuar se qendra të tilla do të rëndonin në ndërgjegjen e qytetarëve të Ballkanit dhe atyre të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, Kryeministri i Kosovës tha se në një situatë urgjence, një pranim i përkohshëm emigrantësh edhe mund të merret në considerate, por e hodhi poshtë me vendosmëri idenë e përsëritjes së modelit italian. “Po flasim për qenie njerëzore këtu, që duhen trajtuar me kujdes”, theksoi Kurti. Ai mori si shembull rastin e Afganistanit, kur trupat amerikane u larguan dhe Kabuli ra në duart e Talibanëve më 15 gusht 2021.

Në atë kohë Kosova,  Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut  pritën disa qindra afganë të evakuuar nga ushtria amerikane, duke i strehuar në bazat e NATO-s përpara se të zhvendoseshin në vende të ndryshme perëndimore.

/RTSH/