RTSH 24 Live

Kosovë

"Jemi në hov ekonomik", Kurti: 882 mln euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin

2 orë para

"Jemi në hov ekonomik", Kurti: 882 mln euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin

Qeveria e Kosovës parashikon që në arkat financiare të vendit të hyjnë mbi 880 milionë euro falë projekteve zhvillimore që parashikohen nga Plani i Rritjes i BE-së.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se Procesi i Berlinit ka rezultuar i suksesshëm për vendin e tij.

"Doli të jetë një proces i suksesshëm që ka afruar vendet e rajonit me njëra-tjetrën dhe të gjitha së bashku me BE-në. Në Berlin nënshkruam deklaratën për tregun e përbashkët rajonal 2024–2028. Miratuam planin e veprimit që është shtyllë për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, ku Republika jonë përfiton 882.6 milionë euro," theksoi z. Kurti.

Presidentja Ursula von der Leyen do të vizitojë edhe Kosovën si pjesë të turit të saj ballkanik që e nis sot me Shqipërinë. Kryeministri Kurti tha se do të diskutojë me presidenten Fon der Leyen edhe për planet e zgjerimit të BE-së.

Kosova njihet si një shtet i pavarur nga më shumë se 110 shtete të botës, edhe pse pesë vende europiane ende nuk e kanë pranuar pavarësimin e saj nga Serbia.

Megjithatë, shtoi z. Kurti, Kosova pritet të blejë godina të reja për ambasada në shtete të ndryshme të botës. Kosova ka gjithsej 42 misione diplomatike në mbarë botën.

"Dje përuruam objektin e ri të Konsullatës sonë në Strasburg, që tashmë është pronë e shtetit dhe shtëpi e përhershme e Republikë sonë," deklaroi ai, duke e veçuar konsullatën e re mes objekteve për ambasada në SHBA, Britani, Kroaci dhe Senegal.

Në mbledhjen e qeverisë u bë e njohur edhe marrëveshja për të pasur shërbime satelitore për internet me kompaninë Starlink, për të mundësuar qasjen në telekomunikime në rast emergjencash ose fatkeqësish natyrore.

"Këtë javë, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka lëshuar autorizimin e përgjithshëm për kompaninë Starlink që ofron shërbime satelitore të qasjes në internet. Ky autorizim paraqet hap të rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për qasje në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Republikës së Kosovës. Starlink, ndër të tjerash, është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mbarë botën në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve tjera të emergjencave kombëtare.

Zhvillimi i sektorit i komunikimeve elektronike në vendit tonë do të vazhdojë mbi parimin e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës e në të mirë të bizneseve, institucione dhe secilit qytetar pa dallim. Komunikimet elektronike janë e drejtë e secilit qytetar, ato po ashtu janë mundësi e të bërit biznes për kompanitë tona dhe investitorë privatë të dëshmuar që vijnë nga shtetet tona mike," tha Kurti. /RTK, IO, EO

/rtsh.al/