RTSH 24 Live

Politikë

Arrestimi i Metës, Demiraj: Mesazh për dorën e fuqishme të Ramës

2 orë para

Arrestimi i Metës, Demiraj: Mesazh për dorën e fuqishme të Ramës

Ish-presidenti Ilir Meta u paraqit sot në GJKKO për t'u njohur me masën e arrestit me burg, që Prokuroria e Posaçme e ka çmuar të nevojshme për tri akuzat që rëndojnë ndaj tij: korrupsion, pastrim i produkteve të veprës penale dhe mosdeklarim i pasurisë.

Bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, po ashtu po hetohet për akuza të ngjashme të kryera në koordinim me kryetarin e Partisë së Lirisë.

Esmeralda Demiraj, kryetarja e Forumit të Gruas në Partinë e Lirisë, komentoi në RTSH 24 deklaratat e koleges Kryemadhi, sipas së cilës bashkëshorti i saj nuk kishte gjithnjë dijeni për vendimet financiare që ajo ndërmerrte dhe për të cilat edhe ai po akuzohet.

"Analizat sociale të mentalitetit shqiptar se si është një çift shqiptar, çfarë duhet të bëjë një çift shqiptar dhe spekulimet se si duhet të jetë familja tradicionale dhe a duhet të ketë bashkëshorti a bashkëshortja për çdo veprim që kryhet, kjo nuk besoj se na takon neve. Ja që mund të ketë raste përjashtimore. Kështu kanë qenë edhe në politikë. Z. Meta ka deklaruar në mënyrë të prerë se është marrë me politikë dhe me anën financiare është marrë bashkëshortja, ndaj duhet marrë si një deklaratë e mirëqenë," tha znj. Demiraj.

Partia e Lirisë e ka konsideruar përndjekje politike arrestimin dhe ndjekjen penale të çiftit Meta.

"Nga faktet që ka dosja ne kemi parë vetëm akuzat, jo deklaratat mbrojtëse të personave tashmë të akuzuar. Unë do vazhdoj ta konsideroj një proces politik në dy aspekte. Proces politik prej mënyrës si është arrestuar Meta, pse po hetohet ai dhe dëshira për ta mbajtur në këto kushte opozitën shqiptare. Për sa i përket procesit juridik është një betejë ligjore dhe luftë e madhe që çifti në fjalë do e përballë. Për sa i përket betejës politike, ne kemi dyshimin e arsyeshëm se politikisht po goditet edhe lideri tjetër i opozitës në Shqipëri që z. [Edi] Rama të gëzojë pushtetin suprem që ka," deklaroi znj. Demiraj.

Reagimi i policisë në momentin e arrestimit po ashtu ka ngjallur debat. Ndërsa Policia është akuzuar se përdori forcë të tepruar për ta shoqëruar z. Meta, organet e rendit janë kundërpërgjigjur se ndeshën kundërshti gjatë përballjes me të pandehurin.

Sipas znj. Demiraj, Policia është një nga shumë instrumentet në dorën e kryeministrit Rama.

"Nuk ka asnjë fakt tregues deri më sot që z. Ilir Meta e ka kundërshtuar policinë. Z. Meta ka treguar në vazhdimësi se nuk është nga ata njerëz që nuk përballen me drejtësinë, nuk është nga ata individë që nuk respekton të drejtat e organeve. Policia duhet të kishte bërë detyrën e vet duke ia njoftuar z. Meta siç ka bërë me eksponentë dhe pushtetarë të tjerë të lartë të mazhorancës. Ata janë njoftuar, janë thirrur, kanë bërë dorëzimet. Kur ndodh që të arrestohet z. Jamarbër Malltezi apo z. Meta së fundmi kemi shfaqje publike dhe inskenim për t'i dhënë një mesazh opozitës shqiptare që këtu është dora e fuqishme e z. Rama, i cili kontrollon në mënyrë të jashtëzakonshme edhe këto struktura policie, gjithashtu ndonjëherë edhe vendimmarrjen e SPAK-ut, siç e ka parathënë shumë herë edhe z. Meta," tha kryetarja e Forumit të Gruas në Partinë e Lirisë.

/rtsh.al/