RTSH 24 Live

Aktualitet

Akuzat për korrupsion, GJKKO: 'Arrest me burg' për Metën, 'detyrim paraqitje' për Kryemadhin

3 orë para

Akuzat për korrupsion, GJKKO: 'Arrest me burg' për Metën, 'detyrim paraqitje' për Kryemadhin

GJKKO ka lënë në fuqi masën ‘arrest me burg’ për Ilir Metën, si dhe ‘detyrim paraqitje’ për Monika Kryemadhin. Në përfundim të seancës për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, Monika Kryemadhit , Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut. GJKKO ka lënë fuqi masat ndaj Metës, Kryemadhit dhe Çokut. Ndërsa për Pirro Xhixhon u vendos ndryshim i masës së dhënë nga 'arrest shtëpie' në 'detyrim paraqitje'. 

Seanca ka nisur në orën 13: 30 dhe ka zgjatur rreth 4 orë. Ajo u shoqërua me tone të ashpra. Meta gjatë seancës ka kërcënuar hapur si drejtuesin e SPAK-ut ashtu edhe dy prokurorët e çështjes në ngarkim të tij.

Pasi doli nga GJKKO, Monika Kryemadhi tha se asnjë akuzë nuk qëndron ndaj Ilir Metës ndërsa u shpreh e vendosur se do ta çojë rastin deri në fund për të gjetur drejtësinë.

“Aty u vërtetua që çështja CEZ-DIA ka filluar në janar të 2018 dhe duke qenë se nuk kanë pasur asgjë e kanë bashkuar me akuzat e mia. Ishte shumë qesharake ajo që tha Prokuroria. Për të gjitha gjërat që akuzohet Monika, po marrin në burg Ilir Metën. Unë kisha qejf që të ma bënin një herë në javë detyrimin për paraqitje, por do ta bëj një herë në muaj. Do të më keni këtu.

Mund të mbyllësh karrierën politike po mund të hapësh një tjetër karrierë që e transformon, politikën.  Nuk mund të lejoj një sistem drejtësie i kapur të më bëjë pis mua. Do kaloj të gjitha shkallët me durim, qetësi. Për telefonin jam në Gjykatë Kushtetuese më pas do të shkoj në Strasburg. Kur ti vijë koha.  Edhe kur të vdes kam 3 trashëgimtarë që do e ndjekin këtë gjë". tha Kryemadhi.

Avokati i Ilir Metës, Genc Gjokutaj foli për mediat pas daljes nga seanca në GJKKO ku dhe u rikonfirmuar masa e arrestit në burg për ish-presidentin.

Gjokutaj tha se arrestimi dhe procesi ndaj Metës është politik.

“Nuk ka asnjë problem shëndetësor. Ai po përballet me një proces. Arrestimi është një vendim kundër opozitës sikurse ai i Berishës. Shikoni se Shqipëria po rrëshket në diktaturë”, tha avokati .

Lidhur më mënyrën e arrestimit të Metës, Gjokutaj tha se provat po mblidhen dhe se do të shkojnë drejt ankimimit.

“Do të bëjmë një padi penale ndaj policisë. Prokurorët nuk ishin sot në unison. Njëri u tha u bë pa probleme. Një tjetër tha do e shohim. Jemi të detyruar të mbledhim prova dhe të bëjmë kallëzimin përkatës. Po merremi me këtë punë dhe jemi në rrugë të mbarë.”, tha ai. 

Meta është në arrest me burg prej të hënës në mesditë, deputetja Kryemadhi dhe Ema Çoku janë nën detyrim paraqitje, ndërsa Piro Xhixho është në arrest shtëpie.

Avokatët mbrojtës të tyre kërkuan kohë nga GJKKO, që të njihen me aktet hetimore, ndaj seanca u ndërpre për tre orë, për të rifilluar në mesditë.

Ish presidenti Meta mësohet se ka zgjedhur që të japë vet para gjykatës, dhe jo përmes avokatit, shpjegimet mbi materialet hetimore dhe episodet e dyshura si korruptive të paraqitura në vendimin e GJKKO-së mbi masat e arrestit. Bëhet e ditur se me këto shpjegime zoti Meta ka vazhduar për rreth dy orë.

Pas tij, edhe deputetja Kryemadhi ka nisur të japë shpjegimet vet para gjykatës, pa ndërmjetësinë përfaqësuese të avokatit.

Meta dhe Kryemadhi e kanë cilësuar çështjen ndaj tyre si të motivuar politikisht dhe si një sulm kundër opozitës nga ana e kryeministrit Edi Rama. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe politikanë të tjerë opozitarë.Ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksuan sërish mbështetjen e tyre mbi përpjekjet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Ky qëndrim i Uashingtonit u shpreh në një përgjigje të Departamentit amerikan Shtetit të martën në mbrëmje, ndaj një kërkese të Zërit të Amerikës për të komentuar pas arrestimit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

“Jemi në dijeni të arrestimit. Ju referojmë tek autoritetet shqiptare për detaje të mëtejshme në lidhje me rastin. Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”, shprehet një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës.

/rtsh.al/