RTSH 24 Live

Politikë

Vizita e Leyen në Tiranë, Gonzato: Shënon një fazë të re në marrëdhëniet BE- Shqipëri

3 orë para

Vizita e Leyen në Tiranë, Gonzato: Shënon një fazë të re në marrëdhëniet BE- Shqipëri

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato komentoi të enjten vizitën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Tiranë, e cila sipas tij, “shënjoi një fazë të re në marrëdhëniet Bashkimi Europian-Shqipëri.”

“Vizitë shumë e mirë në Shqipëri nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Shënjoi një fazë të re në marrëdhëniet BE-Shqipëri. Pas hapjes së negociatave për grup-kapitullin e themeloreve javën e kaluar, perspektiva e anëtarësimit është reale dhe është afër”, u shpreh Gonzato.

Ambasadori i BE-së u shpreh se ky është një mesazh i madh shprese edhe për të rinjtë shqiptarë që duan që vendi i tyre të jetë pjesë e BE-së.

“Është e njëjta rini që ndau me ne dje mendime të tilla frymëzuese, në hapjen e vitit akademik të Kolegjit të Evropës në Tiranë. Faleminderit Federica Mogherini për organizimin e një aktiviteti kaq të rëndësishëm për Tiranën, Shqipërinë dhe gjithë rajonin”, tha ambasadori Gonzato.

Gonzato shprehu bindjen se muajt ​​në vazhdim do të jenë emocionues dhe sfidues në të njëjtën kohë për Shqipërinë.

“Nuk ka kohë për të humbur, nevojiten reforma të rëndësishme për të ecur drejt anëtarësimit. BE dhe Delegacioni në Shqipëri, janë këtu për të mbështetur vendin në këto përpjekje. Me miratimin e djeshëm të Axhendës së Reformave, vendi do të marrë më shumë se 920 milionë euro në kuadër të Planit të Rritjes. Kjo do të ndihmojë në modernizimin e infrastrukturës, përmirësimin e shërbimeve publike, stimulimin e rritjes, duke sjellë kështu cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë më pranë standardeve të BE-së”, u shpreh Gonzato.

/rtsh.al/