RTSH 24 Live

Aktualitet

Kryetarja e GJK, Zaçaj: Përmes drejtësisë kushtetuese të garantojmë drejtësi efektive për qytetarët tanë

3 orë para

Kryetarja e GJK, Zaçaj: Përmes drejtësisë kushtetuese të garantojmë drejtësi efektive për qytetarët tanë

Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga kryetarja Holta Zaçaj dhe gjyqtarja Marsida Xhaferllari, mori pjesë në Konferencën e dytë vjetore të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit me temë “Evolucionet në Drejtësinë Kushtetuese Bashkëkohore: Shembulli i Rajonit të Ballkanit”, të organizuar të enjten në Prishtinë.

Në këtë Forum, krahas përfaqësuesve të gjykatave anëtare dhe personaliteteve më të larta të shtetit të Kosovës, merrnin pjesë kryetarë/gjyqtarë të gjykatave kushtetuese homologe, përfaqësues të Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe akademikë e përfaqësues të institucioneve të drejtësisë evropiane.

Pas hapjes së punimeve të Konferencës me fjalën hyrëse të kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Gresa Caka – Nimani, aktiviteti u përshëndet nga Vjosa Osmani – Sadriu, presidente e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, përshëndeti edhe Holta Zaçaj, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe kryetare e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, e cila e vuri theksin në rëndësinë e kësaj konference, jo vetëm si një model dhe praktikë e bashkëpunimit produktiv ndërmjet sistemeve, institucioneve, për të përballuar sfidat e përbashkëta politike, ligjore, ekonomike e kulturore, por dhe për impaktin që ajo ka tek qytetarët e Ballkanit Perëndimor duke synuar garantimin e barazisë dhe përafrimin drejt standardeve.

Në vijim, ajo theksoi se, “ndërsa konstitucionalizmi është shprehje e shtetit të së drejtës dhe drejtësia kushtetuese mjeti realizues i tij, sfidë thelbësore e gjykatave tona kushtetuese është që përmes drejtësisë kushtetuese të garantojmë drejtësi efektive për qytetarët tanë, në mënyrë që konstitucionalizmi të mos jetë dekorativ, çka do të ishte më e rrezikshme se sa vetë mungesa e një sistemi kushtetues. Ndaj ne duhet të jetësojmë Kushtetutën, ta bëjmë të prekshme dhe të luftojmë që rregullat supreme që ajo mbart të materializohen dhe të mos mbeten dekorative, pra thjesht një fasadë”.

Gjatë sesionit të dytë të punimeve të Konferencës referoi edhe gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari, e cila mbajti prezantimin me temë “Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë si “Partner i Pajtueshmërisë” i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

/rtsh.al/