RTSH 24 Live

Aktualitet

Llogaridhënia dhe transparenca e zyrtarëve të zbatimit të ligjit, VanHorn takon kreun e AMP-së

2 orë para

Llogaridhënia dhe transparenca e zyrtarëve të zbatimit të ligjit, VanHorn takon kreun e AMP-së

E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn u takua të enjten me drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Florian Sulejmani.

Sipas njoftimit për shtyp të ambasadës amerikane në Tiranë, VanHorn vlerësoi angazhimin e drejtorit të përgjithshëm dhe AMP-së për integritet dhe profesionalizëm.

“VanHorn dhe Sulejmani diskutuan përpjekjet e AMP-së për ndërveprim me komunitetin, aftësitë e saj të mbikëqyrjes dhe njësinë e saj të poligrafit, si dhe ndërveprimin me agjenci të tjera shqiptare për të rritur llogaridhënien dhe transparencën te zyrtarët e zbatimit të ligjit.”, thuhet në njoftim.

Ata vunë në dukje rëndësinë e reagimit të AMP-së ndaj ankesave publike, si një mënyrë për të forcuar besimin e publikut dhe sundimin e ligjit – thelbësore për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Sulejmani, nga ana e tij, falënderoi ICITAP-in për përkushtimin e tij për ndërtimin e kapaciteteve dhe profesionalizmit brenda AMP-së, si dhe për kontributet në pajisje, IT, dhe për ekspertizën e Ekipit Këshillimor të AMP-së, i cili është i integruar në Ministrinë e Brendshme.

Që nga viti 2020, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihmë teknike, trajnim dhe mentorim për AMP-në përmes Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Drejtësisë, në mbështetje të misionit të saj për përparimin e mbikëqyrjes policore, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit.

/rtsh.al/