RTSH 24 Live

Kosovë

Zgjedhjet në veri/ Ambasadori amerikan: Kosova dhe Serbia të zbatojnë urgjent marrëveshjet

01/08/2023

Zgjedhjet në veri/ Ambasadori amerikan: Kosova dhe Serbia të zbatojnë urgjent marrëveshjet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë me urgjencë marrëveshjet e arritura.

Për këtë arsye, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff  Hovenier, ka kërkuar çtensionimin e plotë të situatës në veri.

Ne duam të shohim dy gjëra, e para është depërshkallëzimi i situatës në veri të vendit, e dyta duam ta shohim Kosovën dhe Serbinë duke e zbatuar në tërësi marrëveshjen e plotë, të arritur në Ohër”, ka theksuar ai në dhënien e 250 kamerave të trupit, donacion për Policinë e Kosovës.

Sipas tij, zbatimi i këtyre pikave do ta ndihmojë Kosovën drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Për Kosovën është me rëndësi që të të punohet me urgjencën që të negociohet me serbët lokalë në mënyrë që ata të jenë pjesë e proceseve. Edhe Qeveria e Serbisë duhet që të merret me obligimet që i ka në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Sa i përket takimit me Listën Serbe me të dërguarin e posaçëm të Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ai ka theksuar se SHBA-ja kërkon dhe pret që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje.

Pashë disa komente të Listës Serbe pas takimit dhe dua të theksoj disa gjëra. E para është që SHBA-ja e konsideron Kosovën të jetë, dhe që nga viti 2008 nga shpallja e pavarësisë, ne e kemi njohur të jetë shtet i sovran, i pavarur dhe demokratik.

Puna që bëjmë ne me Listën Serbe, si parti politike e Kosovës, është puna që e bëjmë edhe me të tjera parti opozitare në Kosovë. Nuk duhet të ketë pyetje apo sugjerim për qëndrimin e SHBA-së se Kosova është tjetër pos shtet i pavarur. Dhe kjo përfshin veriun e Kosovës, siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht ku është kufiri. Është veriu i Mitrovicës.

Ne duam që Lista Serbe ta luajë rolin e vet si parti politike në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike. Ne nuk e konsiderojmë parti politike serbe, e konsiderojmë si parti e serbëve etnikë në Kosovë. Duhet ta bëjmë këtë të qartë”, ka deklaruar ai.

/rtsh.al/