RTSH 24 Live

Kosovë

Lajçak takon Osmanin: Vlerësova idetë dhe rekomandimet për Marrëveshjen e Ohrit

8 orë para

Lajçak takon Osmanin: Vlerësova idetë dhe rekomandimet për Marrëveshjen e Ohrit

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka bërë të ditur se ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën ka diskutuar për situatën aktuale në procesin e normalizimit mes Prishtinës dhe Beogradit.

Përmes një postimi në platformën “X”, Lajçak ka theksuar se ka vlerësuar idetë e presidentes së Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Para se të kthehesha në Bruksel, u takova me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani për të diskutuar situatën aktuale në procesin e normalizimit. Vlerësova idetë dhe rekomandimet e saj se si të zbatohet Marrëveshja e Ohrit”, ka shkruar Lajçak.

Ndërkaq, një ditë më parë gjatë takimit me ndihmëssekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit Amerikan të Shtetit, James O’Brien, dhe emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova është e përkushtuar në procesin e normalizimit të raporteve Prishtinë-Beograd, sipas parimeve të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

Sipas Kurtit, këto marrëveshje duhet të zbatohen të plota.

Gjithashtu, qeveria e Kosovës shpjegon se në takim është diskutuar rreth zhvillimeve të fundit në vend, krahas atyre në lidhje me procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkëpunimit rajonal në prag të samitit të radhës të Procesit të Berlinit, që do të shënojë gjithashtu 10-vjetorin jubilar të këtij procesi të rëndësishëm për integrimin e Ballkanit Perëndimor.

“Kryeministri ndër të tjera theksoi së Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar maksimalisht edhe në vazhdimësi në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët e saj pa dallim dhe për krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë në të cilin respektohen të drejtat e qytetarëve dhe ligjit i Republikës”, thuhet në njoftim.

Kurti ka nënvizuar përkushtimin e tij për bashkëpunim rajonal mbi parimet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas parimeve të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e saj, që duhet të zbatohet e plotë.

/rtsh.al/