Më shumë se gjysma e votuesve të regjistruar në diasporë kanë dhënë votën e tyre për ata që pritet të zënë 120 vendet e reja në Parlamentin e Kosovës.
Shifra paraprake u publikua në mesditë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
"Në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, ka nisur procesi i votimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. Kemi pranuar të dhënat e pjesëmarrjes së votuesve deri në orën 15:00, nga 20.324 votues të Republikës së Kosovës të regjistruar për votim, kanë votuar 10.306 votues apo 50,91%," deklaroi kryetari i KQZ-së Kreshnik Radoniqi.
Votimet për garën politike të 9 shkurtit po mbahen në 19 shtete të ndryshme, në 43 vendvotime që u përkasin 16 ambasadave dhe 14 konsullatave të Republikës së Kosovës.
Numri i përgjithshëm i shtetasve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 20,324 votues.
Vetëm votuesit e regjistruar në përfaqësi diplomatike votojnë më 8 shkurt, pasi në Listën Votuese, që është dërguar në përfaqësitë diplomatike, janë vetëm emrat e shtetasve që e kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit (29 gusht–26 dhjetor 2024).
/rtsh.al/