RTSH 24 Live

Rajon

Zgjedhjet në Greqi/ Mitsotakis fitues, por a do ta formojë qeverinë e re? Çfarë parashikon Kushtetuta greke

22/05/2023

Zgjedhjet në Greqi/ Mitsotakis fitues, por a do ta formojë qeverinë e re? Çfarë parashikon Kushtetuta greke

Kryeministri konservator i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka fituar zgjedhjet kombëtare, teksa partia e tij e qendrës së djathtë “Demokracia e Re”, ka marrë 41% të votave. Ai mori 146 vende, pesë vende më pak nga 151 që kërkoheshin për një shumicë dhe për të krijuar qeverinë e re, Mitsotakis i duhet një koalicion.

Presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou do t'i ofrojë atij një mandat për të formuar një koalicion, ku Mitsotakis do të ketë 3 ditë kohë për të gjetur aleatë dhe  nëse ai do ta refuzojë apo do të dështojë të krijojë aleanca, atëherë kjo mundësi do t’i ofrohet dy partive të tjera që kanë marrë më shumë vota, Syriza-s dhe PASOK-ut.

Edhe këto dy parti do të kenë po 3 ditë kohë për të bërë koalicion dhe nëse edhe kjo dështon, Presidentja e vendit do të organizojë një qeveri të përkohshme për të përgatitur zgjedhjet e reja rreth një muaj më vonë.

Megjithatë, në deklaratën e tij pas fitores në zgjedhje, Mitsotakis nuk dukej se do të kërkonte të ndante pushtetin me një parti tjetër.

"Populli donte një Greqi të drejtuar nga një qeveri e shumicës dhe nga Demokracia e Re pa ndihmën e të tjerëve," tha ai në fjalimin fitues.

Nëse Greqia do të shkojë sërish në zgjedhjeje, ato do të mbahen me sistemin zgjedhor të përfaqësimit proporcional të zgjeruar, ku partia e parë merr një "bonus" prej 40 mandatesh dhe deputetët nuk do të zgjidhen me kryqëzim të preferencës nga votuesit, por në bazë të listës të kandidatëve që kanë hartuar partitë.

/rtsh.al/