RTSH 24 Live

Serbi

"Njohja e pavarësisë është vijë e kuqe!", Vuçeviq: Nuk e kemi pranuar planin franko-gjerman për Kosovën

25/07/2024

"Njohja e pavarësisë është vijë e kuqe!", Vuçeviq: Nuk e kemi pranuar planin franko-gjerman për Kosovën

Kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, ka deklaruar se Serbia nuk e ka pranuar planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe se nuk e pranon Kosovën e pavarur në asnjë mënyrë.

“Serbia nuk e ka pranuar planin e marrëveshjes franko-gjermane, nuk e kemi nënshkruar dhe kemi dërguar deklaratën e qartë dhe e themi se as njohja implicite as eksplicite e pavarësisë së Kosovës nuk është e pranueshme, është vijë e kuqe për Serbinë”, tha Vuçeviq.

Vuçeviq tha se Serbia nuk e thotë një gjë të tillë vetëm se mos ndëshkohet me sanksione nga perëndimi.

"A mund të dialogojmë? Ne do të flasim do të kërkojmë çdo hapësirë manovrimi për ta përdorur në mënyrë që vendi ynë të mos dënohet, sanksionohet e persekutohet kështu që ne nuk humbim diçka me vlerë duke mbrojtur diçka shumë të vlefshme për qytetarët e Serbisë. Kuptoni që jo gjithmonë i tregojmë hapur letrat sepse është kundërproduktive për pozitën e Serbisë”, deklaron Vuçeviq.

Deklarata e Vuçeviq u shpërnda ne mediat sociale nga zv.kryeministri i Kosovës Besnik Bislmi, i cili tha se përmes videos me zë dhe figurë, kuptohet shumë qartë se Serbia nuk ka ndërmend të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, dhe se pjesëmarrja e Beogradit është një farsë që I shërben Vuçiq-it vetëm sa për të shmangur sanksionet.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/