RTSH 24 Live

Kosovë

Lajçak në Kosovë: Dihet qëndrimi për Urën e Ibrit, takim për dialog me Serbinë

06/09/2024

Lajçak në Kosovë: Dihet qëndrimi për Urën e Ibrit, takim për dialog me Serbinë

Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti për të çuar përpara dialogun dhe marrëveshjen për fqinjësi të mirë mes tyre.

Pas një takimi me kryenegociatorin e Prishtinës, emisari i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, tregoi se në tryezën e diskutimeve u shtruan tema të ndryshme, edhe ajo për përplasjen e fundit rreth hapjes së urës mbi lumin Ibër, për arsye transporti. BE-ja, por edhe SHBA-ja, Franca, Britania dhe Gjermania e kanë kritikuar Kosovën për veprimet e pakoordinuara në veriun e banuar me shumicë serbe. 

"Qëndrimi i BE-së është i mirënjohur. [Ura] duhet të hapet, por hapja të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës," u shpreh z. Lajçak.

Diplomati europian gjithashtu përsëriti nevojën që palët t'i përmbahen pakteve të mëhershme, që do të përmirësonin raportet shtetërore Kosovë–Serbi. Beogradi këmbëngul se nuk do ta njohë shtetin e Kosovës, edhe pse kjo parashikohet të jetë konkluzioni i Marrëveshjes në Ohër në mars 2023.

"Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme. Asnjë palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje. Po punojmë me Kosovën dhe Serbinë që procesi të përshpejtohet. Jemi marrë vesh për një datë për takim, por nuk dua ta bëj të ditur," deklaroi Lajçak.

/rtsh.al/