RTSH 24 Live

Politikë

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, fushata zgjedhore nis më 26 korrik

09/07/2024

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, fushata zgjedhore nis më 26 korrik

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shqyrtojë pasditen e së martës afatet procedurale për zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Himarës që do të mbahen më 4 gusht, sipas dekretit të Presidentit Bajram Begaj të datës 5 korrik 2024.

Sipas projektvendimit, fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë është parashikuar të fillojë më datë 26 korrik 2024 dhe përfundon 24 orë përpara datës së zgjedhjeve.

Regjistrimi i partive politike do të duhet të realizohet brenda datës 15 korrik, koalicionet kane afat deri me 19 korrik dhe kandidatët deri më 22 korrik.

Sipas projektvendimit, fushata zgjedhore do të nisë më 26 korrik.

PS ka zgjedhur si kandidat të saj Vangjel Tavon. Me interes pritet kandidati i opozitës. Burime brenda saj thanë se një prej tyre është djali i kreut të shkarkuar Fredi Bejleri.

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë erdhën pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi Fredi Belerit mandatin e kryetarit të Bashkisë së Himarës, të cilin nuk e ushtroi asnjë ditë. Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023, ku fitoi si kryetar bashkie. Ai u akuzua dhe u dënua me dy vjet heqje lirie për korrupsion zgjedhor nga Apeli i GJKKO.

Bejleri dhe opozita i kanë hedhur poshtë akuzat dhe e kanë cilësuar procesin si politik të frymëzuar personalisht nga kryeministri socialist Edi Rama. Pritet që ai të ankimojë pavlefshmërinë e mandatit të dhënë nga KQZ. 

 

/ rtsh.al /