Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha të premten se ishte i gatshëm t’i dorëzonte Rusisë territor për t’i dhënë fund luftë, sipas telegraph.co.uk.
Presidenti ukrainas tha se vendi i tij mund të heqë dorë nga toka përkohësisht në këmbim të një “ombrelle të NATO-s” mbi territorin që ende mban Ukraina.
Ai shtoi se pasi u ra dakord për një armëpushim, Kievi mund të negociojë “diplomatikisht” kthimin e territorit në lindje që është aktualisht nën kontrollin rus.
“Nëse duam të ndalojmë fazën e nxehtë të luftës, duhet të marrim nën ombrellën e NATO-s territorin e Ukrainës që kemi nën kontrollin tonë”, tha Zelensky në një intervistë për Sky News.
“Kjo është ajo që ne duhet të bëjmë shpejt, dhe më pas Ukraina mund të marrë përsëri pjesën tjetër të territorit të saj në mënyrë diplomatike”, shtoi ai.
Komentet paraqesin një ndryshim të konsiderueshëm në pozicionin e tij.
Kievi ka thënë më parë se do të vazhdojë të luftojë Rusinë derisa Ukraina të kthehet në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht, të cilët përfshijnë katër rajonet e aneksuara nga Vladimir Putin në 2022, si dhe Krimenë.
Ndryshimi vjen ndërsa Donald Trump përgatitet të marrë detyrën me një premtim për t’i dhënë fund luftës në “ditën e parë”. Ndërkohë, mbështetja për një marrëveshje paqeje po rritet gjithashtu midis aleatëve evropianë.
Sipas planeve të paraqitura nga ekipi i Trump, një marrëveshje paqeje do ta bënte vijën aktuale të frontit të ngrirë në vend dhe Ukraina do të pranonte të anulonte ambiciet e saj për t’u bashkuar me NATO-n për 20 vjet.
Zelensky la të kuptohet në intervistën e tij se “ombrella e NATO-s” nuk do të ishte anëtarësimi i plotë i NATO-s, diçka që Putini e ka refuzuar si pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje.
Përkundrazi, mund të nënkuptojë se shtetet anëtare të NATO-s, duke përfshirë BM, SHBA-në, Francën dhe Gjermaninë, do të ofrojnë garanci individuale të sigurisë për Ukrainën.
I pyetur në intervistë nëse Kievi do të ishte i gatshëm t’i jepte territor Moskës krejtësisht në këmbim të anëtarësimit të plotë në NATO, ai tha se “askush nuk na ka ofruar të jemi në NATO vetëm me një pjesë ose një pjesë tjetër të Ukrainës”.
/ rtsh.al /