Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka pritur në takim kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe atë polak, Donald Tusk, të cilët po zhvillonin një vizitë zyrtare në Beograd.
Në fokus të takimit ishte pikërisht perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor si dhe situata aktuale në rajon dhe në Evropë.
Presidenti Vuçiq tha se shkëmbeu me bashkëbiseduesit mendimet për sfidat e përbashkëta dhe të ardhmen evropiane të popujve të rajonit.
“Kjo është një mundësi për të shkëmbyer mendime për ngjarjet aktuale në Evropë, mënyrat për të kapërcyer sfidat e përbashkëta dhe mundësitë për një jetë më të mirë për qytetarët tanë në një shtëpi të përbashkët evropiane”, shkruan Vuçiq në Instagram.
Vuçiq shtoi se Serbia është "një partner i përgjegjshëm dhe konstruktiv në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, por edhe një mikpritës tradicionalisht i mirë".
Vizita e kryeministrit Grek dhe atij polak në Beograd shihet edhe si një interes i vendeve për të nxitur perspektivat e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Interesi i Athinës për perspektivat e Serbisë në BE qëndron në faktin se vendi ballkanik është një lidhje kyçe që lidh Greqinë me BE-në përmes Korridorit Evropian 10, i cili kalon përmes Maqedonisë së Veriut. Diskutimet në Beograd janë fokusuar edhe rreth projekteve të ndryshme të infrastrukturës që synojnë lidhjen e mëtejshme të Greqisë me Evropën Qendrore, qoftë në rrjetet energjetike, rrugore apo hekurudhore.
/rtsh.al/