RTSH 24 Live

Serbi

Vuçiq takohet të hënën me Macron, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, pjesë integrale e integrimit të Serbisë

07/04/2024

Vuçiq takohet të hënën me Macron, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, pjesë integrale e integrimit të Serbisë

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, pjesë integrale e procesit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian do të jetë një nga çështjet kryesore që presidenti Emanuel Macron do të diskutojë të hënën e tetë prillit me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq.

Në një njoftim për shtyp publikuar nga zyra e shtypit e presidencës franceze, Vuciq do të pritet nga Macron në pallatin Elize rreth orës 20:00 të mbrëmjes së të hënës, ku do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Që Kosova do të jetë një nga pikat kryesore të bisedës me Macron, kjo u konfirmua edhe nga Vuciq, i cili gjithashtu u shpreh për mediat e vendit të tij se kjo do të jetë  biseda e 20-të që do të zhvillojë me Macron.

Sipas presidentit serb, mes çështjeve të tjera pritet të diskutohet edhe fuqizimi i bashkëpunimit dypalësh, Srebrenica si dhe Expo 2027, një aktivitet që do të mbahet atë vit në Beograd dhe që i  dedikohet industrisë, energjisë bërthamore, sektorit të teknologjisë së informacionit si dhe zhvillimit të inteligjencës artificial.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/