RTSH 24 Live

Serbi

Vuçeviq thotë se Beogradi do të luftojë me argumente në Këshillin e Europës

17/04/2024

Vuçeviq thotë se Beogradi do të luftojë me argumente në Këshillin e Europës

I mandatuari për formimin e Qeverisë së re të Serbisë Millosh Vuçeviç e quajti festë hipokrizie votimin pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Vuçeviç, që aktualisht mban postin e ministrit të Mbrojtjes, tha për televizionin publik, se Serbia nuk shkel parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare, që duhet të zbatohen për të gjitha vendet. 

“Për herë të parë po mbështetet aplikimi i një territori që nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara për t'u anëtarësuar në Këshillin e Evropës dhe përveç kësaj, nuk janë respektuar kushtet që vetë Këshilli i Evropës i ka vendosur të ashtuquajturës Kosovë.” tha Vuçeviç.

Ai theksoi se Beogradi do të luftojë me argumente, fakte, ligj dhe besim në vetvete. Ai theksoi se çështja  nuk ka të bëjë vetëm me pyetjen nëse Kosova është shtet, por sipas tij, nuk janë respektuar parimet bazë që vetë ndërkombëtarët i kanë vendosur Prishtinës, siç është edhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Përsa i përket fazës finale të procesit të anëtarësimit të Kosovës në KiE, ku votojnë qeveritë dhe jo deputetët, nuk ka shumë vend për manovrim, por nuk do të ketë ketë as dorëzim. Shkelja e normave bazë nga ana e tyre do të shndërrohet në ndëshkim për ta, pasi diçka që është e paligjshme nuk mund të kthehet në të ligjshme.” tha i mandatuari për formimin e Qeverisë së re të Serbisë Millosh Vuçeviç.

Të martën, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare. Rekomandimi pozitiv i raportueses greke Dora Bakojanis u mbështet me 171 vota pro, 11 deputetë abstenuan dhe 29 votuan kundër. Vendimi përfundimtar pritet të jepet më 16 maj, kur mbahet edhe mbledhja e radhës e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Europës në Strasburg.

Gazetare: Vjollca Zharri

/ rtsh.al /