RTSH 24 Live

Aktualitet

Mediat spanjolle: Shqipëria, vendi me ujëra të bruzta e male të egra

30/04/2024

Mediat spanjolle: Shqipëria, vendi me ujëra të bruzta e male të egra

Shqipëria turistike është vënë në fokus të mediave spanjolle si një nga vendet që turistët duhet të vizitojnë. Dy të përditshmet spanjolle, “El Correo” dhe “Dimension Noticias” e kanë cilësuar Shqipërinë si një vend me ujëra të bruzta dhe male të egra.

“Një nga destinacionet evropiane ku turizmi po lulëzon është Shqipëria, një vend në Ballkan që ofron plazhe, male, kulturë dhe gastronomi me çmime të përballueshme. Qyteti më i populluar në Shqipëri është Tirana, kryeqyteti i saj.

Është një qytet i hapur dhe miqësor, ku ndërthuren ndërtesat e mëdha të arkitekturës komuniste me rrokaqiejt e ndërtuar së fundmi.

Nga Riviera Shqiptare deri në Alpet Dinarike, Shqipëria ka zona ideale për ata që duan të pushojnë ose që preferojnë të shohin peizazhe të vargmaleve si në kartolina.

Qytete si Saranda, Ksamili apo Dhërmiu ofrojnë plazhe me rërë dhe ujëra të kaltra të ngjashme me Karaibet. Në pjesën jug-qendrore të vendit ndodhet Berati, qendra historike e të cilit u shpall nga UNESCO një Trashëgimi Botërore në vitin 2008. Ky qytet është pasqyra më e mirë e arkitekturës osmane në Shqipëri”, shkruan  e përditshmja  “El Correo”.

Edhe e përditshmja “Dimension Noticias”, teksa flet për kulturën dhe historinë e Shqipërisë, e cilëson atë si një vend ideal për udhëtarët me buxhet të limituar.

“Ecni nëpër rrugicat me kalldrëm, të vizitoni kështjellat shekullore dhe të shijoni gatimet tradicionale pa u shqetësuar për shpenzimet. Nga turnetë në vreshta e deri te shëtitjet me varkë në lumenjtë piktoreskë, ky vend ofron gjithçka për çdo lloj udhëtari”, shkruan  “Dimension Noticias”.

/rtsh.al/