RTSH 24 Live

Aktualitet

Vritet me armë zjarri efektivi në Fier, drejtori i policisë: Pista kryesore konflikt i çastit, përjashtojmë hakmarrjen

13/05/2024

Vritet me armë zjarri efektivi në Fier, drejtori i policisë: Pista kryesore konflikt i çastit, përjashtojmë hakmarrjen

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të hënë (13 maj) në Baltëz të Fierit. Një efektiv policie është qëlluar për vdekje me armë zjarri.

RTSH mëson se ka humbur jetën në vendngjarje, punonjësi i policisë Novruz Cenalia, ndërsa si autor i ngjarjes së rëndë është identifikuar si Asllan Mernica.

Burime për RTSH bëjnë me dije se polica po heton përfshirjen e mundshme e viktimës në një sherr momental. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të saj dhe kapjen e autorit.

Në vendin e ngjarjes ndodhet edhe Drejtori i policisë se qarkut Fier, Lorenc Panganika i cili tha se pista e hetimit është ajo e konfliktit të çastit duke përjashtuar pistën e një hakmarrje të mundshme.

“Shërbente në policinë e Fierit prej 4 vitesh dhe në Forcat Shqiponja prej afron 2 vitesh. U bëj thirrje familjarëve të autorit që të vetëdorëzohet pa pasoja se zbatimi i ligjit do jetë mjaft i ashpër. Pista kryesore është për konflikt të çastit, nuk ka lidhje me ato që janë thënë për motive hasmërie. Këto janë informacionet e para, deri tani e përjashtojmë hakmarrjen”, tha Panganika.

Viktima Novruz Cenalia dhe autori Asllan Mernica

Për kapjen e autorit Policia e Shtetit kërkon ndihmën e qytetarëve, duke vënë në dispozicion dëmshpërblim 30 000 euro për këdo që ka informacione të vlefshme.

Pas ngjarjes së ndodhur në Fier policia e Vlorës në hyrje të qytetit në pikën lidhëse në autostradën Levan Vlorë ka nisur kontrollet e automjeteve. Jo vetëm policia e Vlorës por e angazhuar në kontrolle edhe FNSH. Fokusi i kontrolleve, automjetet që futen në Vlorë që mund të vijnë edhe nga Fieri.

Qëllimi i kontrolleve është evidentimi dhe arrestimi i autorit të vrasjes në Fier. Aktualisht policia ka gjetur të braktisur automjetin tip “Audi” ngjyrë blu me të cilën u largua autori i vrasjes.

/rtsh.al/