RTSH 24 Live

Aktualitet

Vrasja për motive pronësie në Kurbin, policia arreston autorin e dyshuar të ngjarjes

4 orë para

Vrasja për motive pronësie në Kurbin, policia arreston autorin e dyshuar të ngjarjes

Pas kërkimeve intensive të katër grupeve të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, Policia e Kurbinit ka mundur të arrestojë Dashnor Totën, i cili dyshohet se një ditë më parë vrau Dod Mamlin në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin.

Sipas policisë, operacioni për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi u zhvillua pa ndërprerë nga shërbimet operacionale të DVP Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

“Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle në të gjithë territorin e fshatit ku ndodhi ngjarja dhe në zonat përreth. Si rezultat, mesditën e sotme, është lokalizuar në fshatin Vilëz, është kapur dhe vënë në pranga shtetasi:  D. T., 53 vjeç, banues në fshatin Zhejë, Kurbin. Në momentin e kapjes nga Policia, këtij shtetasi i është gjetur arma e zjarrit me të cilën dyshohet se ka vrarë 67-vjeçarin D. M., për motive pronësie.”, njofton Policia.  

(Arma e zjarrit me të cilën dyshohet se ka vrarë 67-vjeçarin D. M)

Ngjarja

Policia e Kurbinit shumë shpejt arriti të zbardhë vrasjen e ndodhur pasditen e djeshme në Kurbin, ku mbeti i vrarë 67-vjeçari, Dod Mamli.

Fillimisht dyshimet ishin se ngjarja kishte ndodhur për arsye hakmarrjeje, por policia bëri të ditur se dyshimet janë se ajo ka ndodhur për motive pronësie.

“Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore të kryera në vendngjarje, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes me armë zjarri, të 67-vjeçarit, në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin. Menjëherë pas njoftimit të marrë rreth orës 18:00 të datës 24.02.2025, se një shtetas ishte vrarë me armë zjarri në fshatin Vilëz, Zhejë, Kurbin, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje. Për hetimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe me specialistët e Drejtorisë së Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.”, njoftoi policia.

Në ndihmë të Policisë vendore shkuan katër grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, të kryera nga grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar shtetasit D. T., i cili dyshohet se për motive pronësie, ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin D. M, si dhe është bërë arrestimi i tij.

/rtsh.al/