Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku prezantuan Prefektin e ri të Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, i cili merr këtë detyrë duke zënë vendin e ish-prefektit Ali Mysliu.
Në ceremoninë e zhvilluar në qytetin e Elbasanin morën pjesë autoritete vendore, kryetarë të bashkive në qark e drejtues lokalë.
Ministri Hoxha bëri një portret të shkurtër profesional të Prefektit të ri dhe njëherësh i uroi suksese në detyrën e ngarkuar.
“Prefekti i ri, Ilir Bejtja është një personalitet, me njohuri dhe eksperiencë të gjatë në administratën publike, me kontribut si deputet dhe së fundmi, për disa vite, në rolin e zëvendësministrit. Ai vjen në këtë detyrë me një bagazh profesional dhe institucional, duke pasuar Prefektin Ali Mysliu, i cili ka dhënë dorëheqjen nga ky post. Për profesorin, siç ja kam shprehur edhe në bisedën që pata me të, kam vetëm vlerësime dhe mirënjohje për periudhën që drejtoi Prefekturën,”- tha ai.
Duke folur rreth detyrave dhe angazhimit të strukturave shtetërore për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, Ministri vuri në dukje se “me afrimin e datës 11 Maj, Prefekti do të ketë një rol kyç në bashkëpunim me institucionet zgjedhore dhe organet e rendit, për të siguruar një proces të rregullt, të ndershëm dhe të qetë. Marrja e të gjitha masave për garantimin e infrastrukturës dhe logjistikës zgjedhore do të jetë një prioritet kyç i tij, në javët në vijim”.
Më tej, në lidhje me rolin dhe angazhimet e Prefektit në sigurinë publike, Ministri i Brendshëm tha se “një nga sfidat kryesore të Prefektit do të jetë forcimi i Këshillave Vendore të Sigurisë dhe koordinimi me strukturat e rendit për garantimin e sigurisë publike. Dua të informoj edhe qytetarët se puna për monitorimin e territorit ka nisur me kontrolle policore dhe operacione kundër kultivimit të lëndëve narkotike,” – u shpreh Ministri.
/rtsh.al/