RTSH 24 Live

Aktualitet

Rama inspekton punimet në lagjen “5 maji”: Do kthehet në qendrën e re të Tiranës

6 orë para

Rama inspekton punimet në lagjen “5 maji”: Do kthehet në qendrën e re të Tiranës

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në terren në lagjen “5 maji” në Tiranë, ku 428 familje janë strehuar në apartamente e reja të ndërtuara pas tërmetit.

Gjatë takimit me disa prej banorëve të lagjes, kryeministri tha se falë mbarëvajtjes së punës në këtë zonë, ajo do të bëhet si një qendër e re e Tiranës.

“Këtu ka ecur shumë mirë sepse këtu, ne nuk kemi patur të njëjtin problem që kemi patur me Kombinatin. Në Kombinat na janë krijuar pengesa të mëdha artificiale, qoftë nga disa masha që i futi politika për të penguar, qoftë nga disa gjykatës të papërgjegjshëm që morën masa sigurie për të ndaluar prishjet dhe për të ndaluar shpronësimin. Kështu që, në Kombinat jemi më mbrapa për fat të keq, por jo për faj të bashkisë, ose për ndonjë gjë që e kemi lënë mangët. Kurse këtu jemi shumë mirë dhe kjo këtu do të bëhet një lagje model, si një qendër e re e Tiranës”, tha Rama.

Aktualisht punimet po vijojnë me rikonstruksionin e rrugëve kryesore ekzistuese, që përfshin zgjerimin e tyre, krijimin e trotuareve, instalimin e sistemeve elektrike, të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, sinjalistikë, ndriçim etj.

/rtsh.al/