Në reagimin e radhës në Facebook, Erion Veliaj vijoi të martën me akuzat ndaj prokurorit Ols Dado, ndërsa e cilësoi absurde situatën ku ai ndodhet.
Në paraburgim prej dy javësh, Veliaj tregoi episode nga seanca e 12 shkurtit në Gjykatën e Posaçme, ndërsa pretendon se ndodhet në qeli pa prova.
“Në këtë gjykatë drejtësia zbatohet në mënyrë që të dënohesh pa faj dhe mundësisht pa e marrë vesh fare”, shkruan Franz Kafka në “Procesin” e tij, i cili u bë tani edhe pasqyrë e jetës time si personazh i kafkës së Olsit," shkroi Veliaj.
Ndërsa i jep përgjigje kritikëve të tij, kryebashkiaku i referohet dyshimit të SPAK-ut ndaj biznesmenit Meriman Palushi, me masë detyrim paraqitje, se ka financuar 2 OJF të kontrolluara nga Ajola Xoxa.
"Meriman Palushi paska marrë leje për shtëpi dykatëshe në katund. Online. Dhe qenka nën akuzë! “Ka ndihmuar aktivitete në Tiranë!”. Unë s’e njoh, ndërsa ai në më njeh, më njeh vetëm nga televizori. E shoh zotin Meriman në sallë, teksa Kafka im i sulej si hienë “thuaje, thuaje!”… I gjori Meriman përsëriste vetëm fjalinë “nuk e kam takuar kurrë Kryetarin e Bashkisë”.
Të vërtetën thosh, po kujt ia thosh, një të devijuari nga trutë e kokës në mision për llogari të një fundërrine me emrin Sali. Bashkia e Tiranës jep online mbi 2,000 leje në vit për gjithfarë ndërtimesh, pra janë rreth 20 mijë në 10 vitet që shërbej. Sipas Ols Kafkës duhet të kishim 20 mijë raste “sponsorizimesh” dhe jo aq pak sa të merreshin nën akuzë edhe dy fshatarë, me shtëpi 1- apo 2-katëshe në Yrshek," shkroi Veliaj.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/