Pesë ditë nga zbardhja e vrasjes së 24-vjeçares palestineze në Tiranë, autoritetet policore kanë arritur në konkluzionin se autori i ngjarjes është babai i së resë.
Sipas të dhënave nga policia e kryeqytetit, ky konkluzion u arrit pas komunikimit që autoritetet shqiptare kanë pasur me Interpol, me të cilët po pritet një kthim-përgjigje të plotë për gjetjen e familjarëve dhe të dhënave të tjera që do i shërbejnë hetimit.
Fillimisht u dyshua se 24-vjeçarja dhe 49-vjeçari ishin partnerë, pasi kështu ishin prezantuar kur kishin marrë shtëpinë me qira në Tiranë, por dyshimet u rrëzuan.
Babai i 24-vjeçares mësohet se është larguar në drejtim të Libanit dhe përmes Interpolit po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Ekspertiza e vdekjes akoma nuk ka dalë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa vlen të rikujtohet se e reja u gjet e pajetë më 27 shkurt nga pronari që u kishte dhënë dhomën me qira në katin e tretë të një godine që ndodhet pranë Njësisë numër 10 në Tiranë, në rrugën “Gjon Muzaka”.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/