RTSH 24 Live

Politikë

Votimi për kreun e PD-së, Lulzim Basha fiton me 16 196 vota

29/07/2023

Votimi për kreun e PD-së, Lulzim Basha fiton me 16 196 vota

Lulzim Basha zgjidhet kryetar i PD-së. Pas numërmit të votave ka rezultuar se Basha, në shkallë vendi, ka marrë 16 196 vota, ndërsa rivali i tij, Gjergji Hani ka marrë 1657 vota. 199 fletë votimi kanë qenë të pavlefshme. Rezultatet e votimit u bënë publike nga kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana. 

"Pasi administruam të dhënat e procesverbaleve, Komisioni hartoi procesverbalin e rezultatit përfundimtar, bazuar në të dhënate  votimeve në 71 degët e PD-së. Numri i anëtarëve në listë ishte 25 mijë. Në 71 degë kanë marrë pjesë në votim 18 052 anëtarë, pra një pjesëmarrje prej 70.9% të votuesve. Nisur nga ky rezultat, Lulzim Basha shpallet kryetar i PD-së."- deklaroi tha Gjana për mediat.

Pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve brenda PD-së për kryetarin e saj, në selinë qëndrore të PD-së ka mbërritur edhe fituesi i kësaj gare, Lulzim Basha.

Në një mesazh të tij për demokratët, por edhe për shqiptarët, Bashka ka premtuar një vizion të ri jo vetëm në ndërtimin e partisë, por edhe në marrdhëniet me qytetarët shqiptar.

Basha ka falënderuar edhe rivalin në garë, Gjergji Hani, i cili ishte i pranishëm, për mënyrën se si ai zhvilloi garën duke e bërë nga më të bukurat dhe më dinjitozet.

Ai ka falënderuar fillimisht të gjithë demokratët për qëndresën e tyre në këto kohra të vështira dhe sfiduese.

“Pjesëmarrja me mijëra në votim në këto temperatura të nxehta të kohës, por dhe artificiale meriton një falenderim të veçantë. Falenderim edhe për strukturat drejtuese të PD-së që organizuan një proces shembullor të denjë për ambiciet dhe standardet që kemi shpallur dhe që do t’i mbajmë. Falënderim i veçantë për Gjergji Hanin që me fuqinë e argumentit të tij, pastërtinë dhe përkushtimin ndaj PD, e ktheu këtë proces në një debat të vërtetë idesh dhe vlerash ashtu si i takon garës. Jam i vetëdijshme për sfidat ku ndodhet PD. Lumenjtë e mosbesimit rrjedhin akoma, ca të vërteta dhe ca të sponsorizuar nga ata që e duan Shqipërinë, pa liri, pa barazi para ligjit."- tha Basha. 

Sipas tij, nuk ka për të qenë e lehtë, por demokratët treguan se janë gati t’i përvishen një tjetër beteje.

“Shqipëria pret që demokratët të kthehen në krye të detyrës për të mbrojtur interesin publik”,- tha Basha para mbështetësve të tij.

Partia Demokratike zgjodhi të shtunën kryetarin e ri të saj. Demokratët nisën të votonin që nga ora 8:00, deri në 19:00 kur u mbyll edhe zyrtarisht votimi. Në këtë proces ishin në garë dy kandidatë: Lulzim Basha dhe Gjergj Hani.

/rtsh.al/