RTSH 24 Live

Politikë

Votimi i diasporës më 11 maj, KQZ: Mbi 200 mijë kërkesa, 129 mijë janë miratuar

13/02/2025

Votimi i diasporës më 11 maj, KQZ: Mbi 200 mijë kërkesa, 129 mijë janë miratuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat lidhur me numrin e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, për të marrë pjesë si votues në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. 

Sipas shifrave zyrtare të KQZ-së, numri i votuesve nga jashtë që kanë kërkuar të regjistrohen e ka kaluar shifrën 200 mijë, nga të cilat deri të enjten e orës 23:30 janë miratuar 129 226 kërkesa.

Sipas të dhënave, janë refuzuar 70 928 kërkesa, por këtu përfshihen edhe rastet kur një zgjedhësi, aplikimi i është refuzuar më shumë se një herë.

Sipas gjinisë, përqindjen më të lartë të regjistruesve e kanë meshkujt, me 120 091 kërkesa, ndërsa femrat janë 83 115.

Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 78 080 e ndjekur nga Greqia me 56 858, Gjermania me 23 011, si dhe nga SHBA me 13 902.

Sa i takon kërkesave sipas qarqeve, numri më i lartë i aplikimeve është për qarkun e Tiranës me 39 403, më pas vijnë qarqet Fier me 26 722 kërkesa, Durrës me 21 787, Elbasan me 21 366 etj. Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar në 11 janar dhe do të zgjasë deri në 4 mars.

/rtsh.al/