RTSH 24 Live

Politikë

Vota e emigrantëve në 2025, Celibashi takon ministrin e Jashtëm dhe atë të Brendshëm

12/11/2024

Vota e emigrantëve në 2025, Celibashi takon ministrin e Jashtëm dhe atë të Brendshëm

Vota e emigrantëve në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të pranverës në vitin 2025, ka bërë bashkë tri institucione, KQZ, Ministrinë e Jashtme dhe atë të Brendshme.

Lidhur me këtë çështje, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi zhvilloi të martën një takim në KQZ me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha, ku u diskutua për koordinimin e angazhimeve mes palëve për realizimin e votimit nga jashtë.

Në njoftimin për shtyp të KQZ-së bëhet e ditur se Ministria e Brendshme ka nisur dhe do të përmirësojë mekanizma që ndihmojnë votuesit nga jashtë për rinovimin e dokumenteve të identifikimit.

Më së pari tani votuesit nga jashtë nuk kanë detyrimin për të aplikuar për të dy kategoritë e dokumenteve të identifikimit. Në kuadër të këtij procesi janë ulur kostot e këtij shërbimi.

Ndërsa nga ana tjetër MEPJ ka nisur praktikën e zhvendosjes së shërbimeve konsullore më pranë shtetasve shqiptarë aty ku janë dhe lehtësimit të marrjes së këtyre shërbimeve.

“Diskutuam mbi masat që këto dy institucione do të duhet të marrin për të mbështetur veprimin e KQZ në kuadër të realizimit të votimit nga jashtë.”, citohet Celibashi në njoftimin për shtyp të KQZ-së.

/rtsh.al/