RTSH 24 Live

Botë

Vizita e papritur në Kiev/ Biden: Do ofrojmë gjysmë miliardë dollarë për Ukrainën përballë pushtimit rus

20/02/2023

Vizita e papritur në Kiev/ Biden: Do ofrojmë gjysmë miliardë dollarë për Ukrainën përballë pushtimit rus

Presidenti Joe Biden në vizitën e tij të papritur në Ukrainë ka bërë të ditur se SHBA do të ofrojë një shumë prej gjysmë miliardë dollarësh ndihmë për Ukrainën.

Biden e shfaqi këtë qëndrim gjatë takimit të përbashkët me presidentin ukrainas Zelensky. Sipas Bidenit, paketa do të përfshijë më shumë pajisje ushtarake, duke përfshirë municion dhe artileri.

Nga ana e tij Zelensky ka theksuar se ai dhe Biden kanë biseduar për “armët me rreze të gjatë veprimi”. Ndërsa Biden foli për qëndrueshmërinë e rezistencës ukrainase teksa bëhet 1 vit nga pushtimi rus. 

“Një vit më vonë, Kievi qëndron në këmbë. Dhe Ukraina qëndron. Demokracia qëndron”, tha Biden. Biden u takua me Zelenskyn dhe zonjën e parë Olena Zelenska, në pallatin presidencial të Kievit të hënën,  transmeton CNN. 

Vizita historike vjen vetëm pak ditë para 1-vjetorit të pushtimit rus të vendit.

11:22

Joe Biden viziton papritur Ukrainën, presidenti amerikan bën udhëtimin e parë që nga pushtimi rus

Presidenti i SHBA Joe Biden ka bërë një vizitë të papritur në Ukrainë ditën e sotme. Vizita e tij në Ukrainë vjen në një kohë kur për pak ditë shënohen një vit nga fillimi i pushtimit rus .

Udhëtimi i Biden është për të treguar mbështetjen për Kievin që vjen në një moment kritik të konfliktit, ndërsa Rusia përgatitet për një ofensivë të re ndaj Ukrainës, transmeton CNN

Ndërkaq, më herë, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se presidenti amerikan Joe Biden pritet të zhvillojë një vizitë dy ditore në Poloni.

Biden do të mbërrijë në Varshavë të martën ku do të takohet me presidentin polak Andrzej Duda.

“Presidenti do të mbajë një fjalim përpara 1-vjetorit të pushtimit brutal dhe të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, duke trajtuar mënyrën se si Shtetet e Bashkuara kanë mbledhur botën për të mbështetur popullin e Ukrainës ndërsa ata mbrojnë lirinë dhe demokracinë e tyre, dhe se si ne do të vazhdojmë të qëndroni me popullin e Ukrainës për aq kohë sa duhet”, thuhet në deklaratë.

Një vit më parë, Biden paralajmëroi se vendosja e trupave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës ishte paraardhësi i luftës.

Në atë kohë, edhe disa brenda qeverisë së tij vunë në dyshim aftësinë e ukrainasve për t'i bërë ballë një pushtimi, duke parashikuar rënien e afërt të kryeqytetit Kiev. Në vend të kësaj, luftëtarët ukrainas kanë mbajtur kryeqytetin dhe vazhdojnë t'i rezistojnë përpjekjeve ruse për të kontrolluar territorin, të ndihmuar nga një fluks masiv i armëve, municioneve dhe pajisjeve perëndimore.

Ndërkaq, lufta është kthyer në një konflikt të ashpër, gjë për të cilën zyrtarët amerikanë thonë se mund të zgjasë me muaj apo edhe vite.

/rtsh.al/