RTSH 24 Live

Serbi

Video e Kurtit për ushtarët serbë në kufi, Serbia: Patrullim i rregullt, nuk futemi pa lejen e KFOR

22/03/2024

Video e Kurtit për ushtarët serbë në kufi, Serbia: Patrullim i rregullt, nuk futemi pa lejen e KFOR

Sekretari i Shtetit në Ministrinë serbe të Mbrojtjes, Nemanja Staroviq ka komentuar videon e publikuar nga kryeministri Albin Kurti, ku ushtria serbe ndodhet pranë kufirit të Kosovës. Staroviq tha se Kurti po shpik një pushtim për të vazhduar ngacmimet dhe represionet ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë.

Sipas Staroviq në video shfaqet një patrullë e rregullt përgjatë vijës administrative, në koordinim të ngushtë me KFOR-in.

“Alarmimi i pabazë i shërben shumë mirë qëllimit të Kurtit, pasi shpërqendron vëmendjen nga vuajtjet e popullit serb nën grushtin e tij të hekurt dhe e përshkruan Kosovën si viktimë të ndonjë ‘pushtimi’ të imagjinuar që nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë. Për të përsëritur edhe një herë, me zë të lartë dhe qartë, forcat e armatosura serbe nuk kanë hyrë kurrë në territorin e Kosovës pas vitit 1999 dhe nuk do të hyjnë kurrë, derisa të lejohen nga KFOR-i, siç parashikohet në rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Kjo video e veçantë e shpërndarë nga Kurti në fakt përfaqëson një patrullë të rregullt të kryer nga forcat tona përgjatë kufirit administrativ, të koordinuar ngushtë me KFOR-in, siç ndodh gjithmonë”, tha Staroviq.

Edhe kryetari i Komisionit për Zbatimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike, Zoran Jovanoviq tha se prania e Forcave të Armatosura Serbe në Zonën e Sigurisë Tokësore është një detyrë e rregullt për sigurimin e linjës administrative dhe kontrollin e zonës së sigurisë tokësore.

Jovanoviq tha se deklarata e Kurtit janë vazhdimësi e fushatës dezinformuese me qëllim rritjen e tensioneve.

“Përhapja e mashtrimeve dhe dezinformatave, të cilat janë ekspozuar shumë herë deri më tani si gënjeshtra më e zakonshme, janë pjesë e një fushate më të gjerë të Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë, e cila ka për qëllim ngritjen e tensioneve, mashtrimin e opinionit, krijimin kushte të padurueshme për jetën e serbëve në Kosovë”, tha Jovanoviq.

Më herët kryeministri i Kosovës Albin Kurti publikoi një video ku tha se “njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit duke i cilësuar si provokime të qëllimshme”.

/rtsh.al/