RTSH 24 Live

Kosovë

Video-Kurti: Ushtria serbe është në kufi, provokime të qëllimshme

22/03/2024

Video-Kurti: Ushtria serbe është në kufi, provokime të qëllimshme

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën.

Këto lëvizje ushtarake pranë kufirit janë publikuar me video nga kryeministri Albin Kurti, duke i cilësuar si “provokime të qëllimshme” dhe që po “vëzhgohen me kujdes”.

Stërvitja e forcave ushtarake serbe pranë kufirit, tha Kurti, nisën disa ditë pas kërcënimeve që presidenti serb Aleksandër Vuçiq bëri ndaj Kosovës duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë për të vepruar”.

Kurti thotë ushtarët serbë janë parë në afërsi të fshatit Banjë të Zubin Potokut dhe në fshatin Oslare të Bujanovcit.

Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”.

Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.

Jemi duke vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal”, shkruan Kurti.

Deklarata kërcënuese të presidentit serb i dënoi edhe ministri gjerman Michael Roth ku tha se “Vuçiq duhet të kuptojë që anëtarësimi në BE vlen për të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe se me kërcënime po pengon anëtarësimin e Serbisë në BE”.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës janë acaruar së fundi edhe nga vendimi i Bankës Qendror të Kosovës për të hequr përdorimin e dinarit serb, duke ndikuar në komunitetin serb në veri. Ky vendim solli reagime të ashpra nga BE dhe SHBA, ndërsa kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar së fundmi në Bruksel për të gjetur një zgjidhje.

/rtsh.al/