RTSH 24 Live

Politikë

Klosi: Vizioni i PS “Shqipëria 2030” s’mund të bëhet pa diasporën

27/04/2024

Klosi: Vizioni i PS “Shqipëria 2030” s’mund të bëhet pa diasporën

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi, u shpreh se forca politike që ai përfaqëson ka dëshmuar qartë se është pro votës së emigrantëve. Vizioni i Partisë Socialiste “Shqipëria 2030”, nuk mund të bëhet pa diasporën, tha zoti Klosi në Fier.

“Partia Socialiste e ka shprehur qartë vullnetin e saj për votën e emigrantëve dhe është reflektuar ky vullnet edhe në kodin elektoral. Si parti e madhe, si parti që punon dhe që përgatitet për të gjitha betejat që kemi në vazhdim, edhe në kuadër të rienergjizimit të gjithë jetës shqiptare, ne do të jemi në një tur takimesh edhe në diasporë për të strukturuar bisedën me qytetarët tanë, për të dëshmuar se ajo çfarë kemi bërë në Shqipëri dhe ajo që kemi propozuar për të bërë në Shqipëri në kuadër të vizionit tonë “Shqipëria 2030”, nuk mund të bëhet pa kontributin e madh që japin vëllezërit dhe motrat që jetojnë prej shumë vitesh në diasporë dhe që lidhja me Shqipërinë vijon të jetë shumë e fortë”, tha Klosi.

Ai tha se kreu i PS dhe kryeministri Edi Rama do të mbajë katër takime me emigrantët në Athinë, në Milano, Londër e Mynih. "Takimet do të jenë nën sloganin “Krenari për Shqipërinë” për të paraqitur vizionin socialist "Shqipëria e vitit 2030" për të cilën kërkojmë mbështetjen edhe të emigrantëve shqiptarë” tha zoti Klosi.

 

/ rtsh.al /