RTSH 24 Live

Serbi

Serbi- Evakuohen 1300 banorë të Nishit, zhvendoset nga ekspertët një bombë e pashpërthyer

21/04/2024

Serbi- Evakuohen 1300 banorë të Nishit, zhvendoset nga ekspertët një bombë e pashpërthyer

Më shumë se 1300 banorë u evakuuan të dielën nga një lagje e Nishit në jug të Serbisë para se ekspertët të punonin për lëvizjen e një bombe që u gjet gjatë punimeve për ndërtimin e një objekti.

Bëhet fjalë për një bombë MK-84 ngarkesa shpërthyese e së cilës peshon 430 kilogram, e cila besohet se është një nga bombat e përdorura gjatë fushatës bombarduese të NATOS në vitin 1999. 

Ekspertët bënë të ditur se ajo ndërkohë është transportuar në një vend të sigurt ku edhe do të shkatërrohet. 

Bombardimet e NATO-s ndaj  pozicioneve të forcave ushtarake serbe filluan në 24 mars të 1999-ës dhe zgjatën 78 ditë. 

Ato synuan dhënien fund fushatës së përgjakshme që ish-udhëheqësi serb Slobodan Milosevic kishte ndërmarrë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Një nga incidentet më vdekjeprurëse gjatë bombardimeve të NATO-s ndodhi në Nish në 7 maj të po atij viti, ku më shumë se 12 persona humb ën jetën pasi avionët e NATO-s hodhën bomba thërrmuese mbi një treg të hapur.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/