RTSH 24 Live

Botë

SHBA dënon sulmet kibernetike ruse ndaj vendeve evropiane

04/05/2024

SHBA dënon sulmet kibernetike ruse ndaj vendeve evropiane

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar një sërë sulmesh kibernetike ruse kundër disa vendeve evropiane, përfshirë Gjermaninë, Lituaninë, Poloninë, Sllovakinë, Suedinë dhe Republikën e Çekisë.

Sipas SHBA-së, sulmet u kryen nga një njësit i Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Rusisë (GRU).

Departamenti amerikan i Shtetit tha në një komunikatë për media më 3 maj se APT28, i njohur si Fancy Bear, është përgjegjës për sulmet ndaj caqeve të ndryshme nga kompanitë e mbrojtjes dhe të hapësirës ajrore te operatorët e infrastrukturës dhe partitë politike.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë ta ndalë këtë veprimtari dashakeqe dhe t’u përmbahet zotimeve dhe detyrimeve të veta ndërkombëtare”, tha DASH.

Të premten, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se Rusia do të përballet me pasoja për sulmet kibernetike ndaj vendit të saj.

“Tani ne qartësisht mund t’ia atribuojmë sulmin e vitit të kaluar grupit rus, APT28, që kontrollohet nga shërbimi rus i inteligjencës ushtarake, GRU”, tha Bearbock gjatë një konference për media në Adelaide më 3 maj.

“Me fjalë të tjera, hakerët shtetërorë rusë kanë sulmuar Gjermaninë në hapësirën kibernetike”, shtoi Bearbock.

Dhjetorin e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se raportet mes Rusisë dhe Gjermanisë janë gjerësisht të ngrira citon REL.

/rtsh.al/