Milosh Vuçeviq, i ngarkuari nga presidenti Aleksandar Vuçiq për të krijuar qeverinë e Serbisë publikoi të martën emrat e ministrave të rinj. Qeveria do të përbëhet nga 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.
Në postin e zëvendëskryeministrit, Vuçeviq ka rikthyer Aleksandar Vulin, ish-udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, i cili është I sanksionuar nga SHBA edhe për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë. Një tjetër zyrtar tjetër që është në listën e zezë të SHBA-së për shkak të lidhjeve me Rusinë, që i bashkohet qeverisë së re serbe është Nenad Popoviq që do të jetë ministër pa partofol.
Ivica Daçiq, që deri tani ka qenë ministër i Jashtëm, do të jetë ministër i Brendshëm, ndërsa Bratislav Gashiq, që deri tani ka shërbyer si ministër për policinë, do të jetë në krye të dikasterit të mbrojtjes. Postin e rëndësishëm të ministrit të Jashtëm do ta mbajë Marko Gjuriq, ish-ambasador dhe ish-drejtor i Zyrës serbe për Kosovën.
Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, kryetare e partisë së djathtë, Zavetniqi, do ta drejtojë Ministrinë për Përkujdesje Familjare. Kjo parti, deri tani, ka qenë në opozitë, por, pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, ka nisur bashkëpunim me Partinë Progresiste serbe në pushtet.
Mes emrave të tjerë në qeverinë Vuçeviq do të jenë Nemanja Staroviq si ministër Pune, Darko Gllishiq si ministër për Investime Publike, Dejan Ristiq si ministër për Informim, Zllatibor Llonçar si ministër i Shëndetësisë, Nikolla Selakoviq si ministër Kulture. Aleksandar Martinoviq si ministër Bujqësie, Jellena Zhariq Kovaçeviq si ministre e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale si dhe Adrijana Mesaroviq si ministër e Ekonomisë.
/RTSH/