Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur të miratojë listat e dorëzuara nga partitë politike me kandidatët e 11 majit.
E para parti që kalon vetingun në KQZ është Lëvizja Bashkë si subjekt që i dorëzoi ato disa ditë para 12 marsit, kur ishte edhe afati i fundit.
Komisioni ka bashkëpunuar me institucionet ligjore për të verifikuar të 186 kandidatët dhe në përfundim rezulton se nuk ka pengesë për zyrtarizimin e tyre.
Nga të gjitha kandidaturat vetëm tre prej tyre figurojnë të dënuar më herët, por Drejtoria e Burgjeve ka paraqitur shkresën për rehabilitimin e tyre.
"KQZ-ja nëpërmjet komunikimit elektronik ka kërkuar informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Nga numri total prej 186 kandidatësh për deputetë të listave shumemërore të subjektit zgjedhor Partia Lëvizja Bashkë, rezulton se nga informacioni i dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me anë të komunikimit elektronik janë kryer verifikimet e të dhënave për të gjithë kandidatët për deputetë të subjektit zgjedhor Partia Lëvizja Bashkë, sipas të cilave 3 kandidatë për deputetë në listën shumemërore të subjektit zgjedhor, rezultojnë të jenë rehabilituar në bazë të Nenit 69 të Kodit Penal. Kandidatët e tjerë të listës shumemërore të subjektit zgjedhor Partia Lëvizja Bashkë rezulton se nuk janë të dënuar me vendim penal të formës së prerë," deklaroi zyrtarja e KQZ-së.
Si parti jo parlamentare, KQZ-ja ka verifikuar edhe listën me firmat mbështetëse të dorëzuara nga Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, ku numri i tyre është në përputhje me Kodin Zgjedhor.
Kandidatët e të gjitha partive po i nënshtrohen një vetingu për pastërtinë e figurës dhe formularëve të vetëdeklarimit, që parashikon ndalim të kandidimit për disa kategori.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/