RTSH 24 Live

Politikë

Komisionerja Kos mbyll vizitën në Tiranë: Mbështesim negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë

14/03/2025

Komisionerja Kos mbyll vizitën në Tiranë: Mbështesim negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë

Bashkimi Evropian mbetet i angazhuar në mbështetjen e reformave të nevojshme për përparimin në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë. Ky është konkulzioni i vizitës 2 ditore në Shqipëri i komisioneres Marta Kos, gjatë së cilës ajo zhvilloi takime me zyrtarët më të lartë të qeverisë si, kryeministri Edi Rama, Kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, deputetë të opozitës, si dhe me nivele të larta drejtuese të drejtësisë.

Delegacioni i BE-së në Tiranë, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ka bërë një përmbledhje të kësaj vizite, çështjet e trajtuara nëpër takime dhe konferenca shtypi, si dhe mesazhet që Kos dha në Tiranë dhe Elbasan.

“Kos e nisi vizitën duke takuar ekipin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, i cili po punon me përkushtim për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian. Gjatë takimit me Kryeministrin Edi Rama, ajo vlerësoi punën e bërë deri tani nga Shqipëria dhe rolin e saj në promovimin e paqes, demokracisë dhe prosperitetit në rajon. Mesazhi i saj ishte i qartë: ka një dritare mundësie për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe ne jemi gati ta kthejmë në realitet këtë së bashku!”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ajo zhvilloi gjithashtu diskutime me Elisa Spiropalin dhe me anëtarë të tjerë të partisë kryesore të opozitës, duke u fokusuar te roli kyç i Parlamentit në sigurimin e përfshirjes të të gjithë shoqërisë shqiptare në procesin e anëtarësimit dhe duke theksuar rëndësinë e konsensusit ndërpartiak.

“Po ashtu, u takua me institucionet e pavarura të drejtësisë, duke përgëzuar luftën e tyre kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur të BE-së për pavarësinë e sistemit gjyqësor. Në Kolegjin e Evropës në Tiranë, ajo inkurajoi të rinjtë dhe shoqërinë civile të kapërcejnë pengesat në rrugën drejt një Evrope të bashkuar. Gjithashtu, nënvizoi rolin e rëndësishëm që luajnë organizatat e shoqërisë civile në demokracitë funksionale. Takimi i saj me liderët lokalë gra ishte një tjetër mundësi për të ritheksuar angazhimin e saj personal për fuqizimin e grave në rajon dhe përkushtimin e BE-së për promovimin e barazisë.”, thuhet në njoftimin për shtyp të delegacionit të BE-së në Tiranë.

Gjatë kësaj vizite komisionerja Kos ka zhvilluar edhe një vizitë në Elbasan, ku pa nga afër se si projektet e BE-së ndikojnë në jetën e njerëzve.

“Dëgjuam historitë e grave, të mbijetuarave të dhunës në familje që po rindërtojnë jetët e tyre duke fituar pavarësi financiare. Takuam gjithashtu nxënës nga shkollat e mesme shqiptare dhe serbe, pjesë e programit të shkëmbimit #Superschools, ku na pritën me ngrohtësi dhe ndanë me ne entuziazmin dhe dëshirën e tyre për të punuar drejt pajtimit rajonal. Gjithashtu, e fundit por jo nga rëndësia, shëtitëm nëpër rrugët e Elbasanit dhe festuam Ditën e Verës!”, mbyllet njoftimi për shtyp.

/rtsh.al/