Partia Demokratike ka organizuar një protestë përpara kryeministrisë për mbylljen e rrjetit social, TikTok. Protesta, e cila po zhvillohet në këto momente, konsiderohet nga PD se është një protestë kundër censurimit të fjalës së lirë. Sipas PD-së, me mbylljen për një vit të TikTok nga ana e qeverisë, synohet që të censurohet liria e fjalës. Ajo ka ftuar edhe të rinj që t’i bashkohen kësaj proteste.
Forumi Rinor i PD-së, i cili ka thirrur protestën kundër mbylljes së TikTok, ka nisur marshimin nga selia e PD-së, drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të ndaluar përpara kryeministrisë. Bëhet e ditur se protesta nuk do të ketë podium të madh ku mbahen fjalime, por një podium më të vogël, ku folësit do të japin mesazhet e tyre.
Kryetari i Forumit Rinor të PD, Besart Xhaferri tha për mediat se "mbyllja e TikTok nuk ndihmon për asgjë te rinia shqiptare”.
“Mbyllja ndihmon vetëm sigurinë elektorale të Ramës dhe kjo duhet demaskuar", tha Xhaferri.
Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, në fjalën e tij para mediave, u shpreh se kryeministri Rama do të ngelet në histori si armik i fjalës së lirë.
“Rama është në panik nga fjala e lirë. Komisioni i censurës me në krye Braçen këtë qëllim kishte. TikToku aplikacioni më i pa kontrolluar nga qeveria, ku i çirret maska Ramës. Do të ngelet në histori si armik i fjalës së lirë dhe shqiptarëve”, tha Noka.
Në këtë protestë ka folur edhe aktori, Mehdi Malkaj. Ai u shpreh se problemi nuk është vetë TikTok-u, por arsyeja pasi dikush e ka inatin me këtë platformë, sepse nuk është nën kontrollin e pushtetit.
Berisha: Rama u damkos si armik i egër i TikTok dhe shqiptarëve
Në protestën e PD-së për mbylljen e TikTok për një vit, mori pjesë edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Në një prononcim për mediat ai tha: Ju i dëgjuat fjalët e të rinjve, fjalë që buronin nga shpirti i tyre i lirë dhe zemrat rinore. Sot Rama u damkos si armik i egër jo vetëm i TikTok, por armik i egër i lirisë, të rinjve shqiptarë.”.
/rtsh.al/