RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Sot shpatën e ndëshkimit e ka SPAK dhe GJKKO

3 orë para

Rama: Sot shpatën e ndëshkimit e ka SPAK dhe GJKKO

Në mbyllje të podcast-it prej afro 10 orësh të ditës së shtunë, ku kryeministri, Edi Rama prezantoi një pjesë të kandidatëve për deputet të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, kreu i ekzekutivit u shpreh se në skuadrën e PS ka një raport gjinor 60% me 40% në total mes burrave dhe djemve dhe grave dhe vajzave.

”Kemi moshë mesatare 44 vjeç, të të gjithë ekipit. Kemi 39 juristë dhe juriste. Kemi 29 ekonomistë dhe ekonomiste. Kemi dhe një numër mes 16-18 mjekë, inxhinierë, financier dhe profesione të tjera më pas. Në të përgjithshmen janë 32 persona që janë të përfshirë nga platforma e “Deputetit që duam” dhe nga Akademia Politike. Mënd për herë tjetër për ata që e morën si teatër Akademinë Politike ose platformën “Deputeti që duam”. Më e rëndësishmja, në listat e mbyllura ku këneta ka kyçur të gjitha mbetjet arkeologjike dhe mbetjet e pariciklueshme ne kemi 52% gra dhe vajza dhe 48% burra dhe djem në listat e mbyllura. Domethënë kemi faktikisht një raport 24 në 46 dhe e fundit që kam është shikoni: Ne na thoni çdo gjë, jeni të lirë pa diskutim të thoni çdo gjë. Jeni në të drejtën tuaj të kritikoni, ankoheni, akuzoni, çfarë të doni, por vetëm një gjë kijeni parasysh që kur na akuzoni dhe na tregoni me gisht si një forcë politike, qeverisëse, hajdutësh, dhe numëroni emra dhe  numëroni raste që janë raste të drejtësisë mos e bëni gabimin ta harroni që nëse ne nuk do të kishim hapur rrugë drejtësisë, ju nuk do të shikonit njerëz të lidhur me pushtetin në dyert e drejtësisë”, tha Kryeministri Rama.

“Po të ishte ndryshe, do t’i kishit parë pa pasur nevojë të na vinte radha ne, mua të udhëhiqja PS, dhe t’i vinte radha PS, si forcë në shumicë e qeveri për të bërë reformën në drejtësi. Që nga 1912, kjo është zonja e drejtësisë, nga 1912 shpatën e ndëshkimit, peshoren e gjykimit dhe fashën e syve të mbuluar të paanësisë, ishte në duart e pushtetit politikë, kjo shpata ishte në duart e mia dhe të Partisë Socialiste në qeveri kur morëm detyrën. S’kishte drejtësi të pavarur. Kishte drejtësi të kalbur dhe e dini çfarë është reforma në drejtësi, është dorëzimi i kësaj shpate të kësaj ‘zonje’, pasi drejtësia është ‘zonjë’. Me shpatën e pushtetit, me shpatën e ndëshkimit në duart e pushtetit me të cilën pushteti politik nga 1912-ta pavarësisht formës së regjimit ka goditur në emër të drejtësisë këdo që si ka ardhur për shtat ta ketë rrotull, ose kë do që donte të fundoste si dhe në duart tona, dhe ne e dorëzuar, dhe bashkë me dorëzimin e shpatës së pushtetit politikë, vendosëm në dispozicion dhe trupin”, vijoi Rama.

Kryeministri tha se ajo shpatë është për të goditur, nuk është për muze.

“Kur e ka në dorë pushteti politik vendos kë të godas dhe si ta godas. Ndërsa sot shpatën e ndëshkimit e ka SPAK dhe GJKKO, dhe normalisht duhet ta kenë dhe gjithë të tjerët, por ende në këtë aspekt kemi shumë për të bërë, që e gjithë drejtësia të funksionojë si e tillë. Por, përveç shpatës, kanë edhe të gjithë gatishmërinë tonë, që jemi të paarmatosur përballë asaj shpate. Ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër, përveçse të përballemi me të vërtetat tona dhe me të vërtetat që ne i dimë, për faktet e qeverisë. Por, edhe me të vërtetat që na shfaq procesi i hetimeve dhe gjykimeve, të cilat janë të vërteta të hidhura, por nuk ka rrugë tjetër dhe këtë shpatë duhet ta ketë në dorë kjo zonjë. Vetëm kështu ajo pasaporta evropiane e Shqipërisë bëhet një realitet”, theksoi kreu i qeverisë.

“Përndryshe, bufi i kënetës ka vetëm një arsye përse rri vërdallë, që të shkojë të marri këtë shpatën dhe ta plagosi prapë në tokë këtë zonjën (drejtësinë) dhe jo vetëm bufi i kënetës, por të gjithë ato që janë përballë nesh me çfarë do lloj trupi dhe fytyre e Shqipërisë. Shqipërisë në 11 maji i duhet mandati i katërt i PS. Një mandat edhe më i fortë se tre të tjerat, që t’i japim çdo shqiptari pasaportën e BE-së dhe çdo qytetar shqiptar të jetë i barabartë individualisht dhe pasaportën evropiane ta marrin të gjithë emigrantët, ato që janë në Greqi të marrin pasaportën e BE-së dhe kudo ku ndodhen dhe shkelën shqiptarët jashtë vendit. E dyta për të garantuar që kjo shpata qëndron në duart e drejtësisë. Kjo është PS. PS, partia më e vjetër dhe më e re në Shqipëri”, theksoi Kryeministri.

Sipas tij, skuadra e PS është më e forta që ka patur në fushë ndonjëherë dhe më përfaqësuesja.

/rtsh.al/