RTSH 24 Live

Politikë

Veliaj: Tirana dhe Kamza, të pandara në zhvillim, do u shërbejmë të gjithëve njëlloj, me përulësi

27/05/2023

Veliaj: Tirana dhe Kamza, të pandara në zhvillim, do u shërbejmë të gjithëve njëlloj, me përulësi

Bashkë me Rakip Sulin, i cili u rizgjodh për një mandat të dytë në Bashkine e Kamzës, kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe drejtues politik i PS në Qark, Erion Veliaj, ka takuar socialistë, por edhe banorë që i besuan kësaj force politike në 14 Maj, të cilët i falenderoi për besimin.

“Njerëzit në Kamëz nuk janë bërë detyrimisht socialistë, por kanë logjikë dhe nëse kanë parë që Rakipi ka bërë çerdhe, ku çojnë fëmijë të majtë dhe të djathtë, atëherë na duhen më shumë çerdhe dhe për sa kohë që Rakipi bën çerdhe të mira, na duhet të votojmë Rakipin. Janë thjesht prindër të mirë, që duan më shumë çerdhe, më shumë kopshte si ato që di të bëjë Rakipi dhe Partia Socialiste. Nëse Rakipi provoi që në një mandat bëri një urë, që ne jo të na ndajë lumi, por të na bashkojë, atëherë kur të bëjmë shtatë ura, Tirana dhe Kamza do të jenë dy motra të pandara në zhvillim, në progres, në mirëqenie dhe në të gjithë projektet e bukura që ne kemi,” u shpreh Veliaj.

Por, nga ana tjetër, Veliaj u tha socialistëve se ky nuk është një moment për triumfalizëm, por për të qenë me këmbë në tokë dhe për t’u shërbyer me përulësi të gjithëve, edhe atyre që nuk ia dhanë këtë herë votën Partisë Socialiste.

“Për 60% që janë këtu sot, që përfaqësojnë votën e Rakip Sulit, të Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste, ka vetëm mirënjohje, vetëm respekt, vetëm falënderim, vetëm mëngë të përveshura për punë. Pyetja është: “si sillemi me 30% tjetër?” Do te sillemi me përulësi dhe u themi atyre se vota për Partinë Socialiste do u shërbejë edhe demokratëve. Vota për Partinë Socialiste do bëjë kopshte e shkolla edhe për fëmijët e demokratëve. Unë besoj se kjo është mënyra e duhur për t’u kthyer, jo si triumfalistë. Nuk kemi mundur hasmin, nuk kemi mundur armikun, nuk e kemi nxjerrë jashtë pushtuesin. Kemi pasur një garë ku idetë tona, punët tona, kandidati ynë Rakip Suli dhe forca jonë, e Edi Ramës, Partia Socialiste ka fituar zgjedhjet me një votë të lirë,”- u shpreh më tej ai.

Edhe kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli tha se këtë besim do ta kthejë me punë dhe se do jetë një shërbëtor i mirë për çdo qytetar.

“Kamza i tregoi gjithë Shqipërisë se nuk është pronë e asnjë partie politike. 30 vite nuk pati një çerdhe, ne bëmë 5. Nuk pati një kopsht, ne bëmë 13. Nuk pati një shkollë me standarde, ne bëmë 20. Sot bashkia paguan bonus dhe bursa për nxënës ekselentë. Kemi këshillin rinor që jo vetëm bëjmë takime, jo vetëm e dëgjojmë, por janë vendimmarrës në Bashkinë e Kamzës. Ajo bashki sot është e qytetarëve të Kamzës. Unë pata nderin dhe privilegjin të punoja katër vite bashkë me këto djem dhe vajza, burra dhe gra, që i dhamë mesazhin Shqipërisë që Kamza nuk është më pronë, por vlerësoi investimin dhe vlerësoi shërbimin. Faleminderit Edi Rama që më dhe besimin e kandidimit. Faleminderit qytetarëve të Kamzës që më votuan dhe më besuan dhe unë do jem një shërbëtor i mirë për çdo qytetar, një administrator i mirë për çdo qytetar,”- u shpreh Suli.