RTSH 24 Live

Politikë

Zyrtarët e lartë të PD takojnë Kos: Po sulmohet opozita. Mazhoranca po përdor drejtësinë

4 orë para

Zyrtarët e lartë të PD takojnë Kos: Po sulmohet opozita. Mazhoranca po përdor drejtësinë

Kryetarja e  Këshillit Kombëtar të Integrimit Jorida Tabaku, Nënkryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, zhvilluan një takim me Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Zyrtarët e lartë demokrat e informuan Komisioneren Kos për zhvillimet në Shqipëri, duke e garantuar se opozita e mbështet procesin e integrimit pasi është Partia Demokratike e cila e ka nisur këtë proces dhe po Partia Demokratike do ta përfundoje atë. 

Ky proces sipas zyrtarëve demokrat duhet të jetë i bazuar në ligje e në reforma konkrete dhe jo të vijë si dhuratë nga Bashkimi Europian.

Gjatë bisedës, demokratët e kanë njohur zyrtaren e lartë të Bashkimit Europian, me tentativën e mazhorancës për të zhbërë rolin e opozitës në Kuvend dhe refuzimin për të zbatuar Vendimet e Gjykatës Kushtetuese.  

Zgjedhjet Parlamentare ishin fokusi kryesor i bisedës, ku Kos u njoh me shqetësimet legjitime të opozitës, nga përdorimi i administratës dhe burimeve shtetërore, presioni ndaj votuesve, përdorimi i artificave për të penguar regjistrimin e lirë të votuesve në diasporë si dhe përfshirja e  krimit të organizuar në proces. 

Zyrtarët demokratë e njohën Komisioneren edhe me faktin se opozita ndodhet nën sulm dhe se Kryeministri Edi Rama po përdor drejtësinë për këtë qëllim. Ata përmendën faktin se lideri i opozitës Sali Berisha u mbyll për më shumë se një vit në arrest shtëpie pa asnjë fakt dhe provë.

Ish-Presidenti i vendit dhe Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, u arrestua në shkelje të plotë të të drejtave të njeriut, ndërsa nënkryetari i Grupit Parlamentar Ervin Salianji ndodhet në burg vetëm pse ka denoncuar lidhjet e  mazhorancës me krimin e organizuar. 

Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Gazment Bardhi i kërkuan Komisioneres Kos,  se tashmë që  është hapur grupkapitulli themelor dhe zgjedhjet janë pjesë e tyre, Bashkimi Europian të monitorojë me vëmendje të shtuar këtë proces.

/rtsh.al/