RTSH 24 Live

Aktualitet

Veliaj dhe Xoxa në GJKKO, njihen me masat e sigurisë. Të pranishëm edhe 6 biznesmenët

3 orë para

Veliaj dhe Xoxa në GJKKO, njihen me masat e sigurisë. Të pranishëm edhe 6 biznesmenët

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit do të vendos sot mbi masat e sigurisë të dhënë ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenëve, të cilët akuzohen se kanë bashkëpunuar mes tyre për të përfituar para publike për interesa personale.

Pas parashtrimit të akuzave të prokurorisë, avokatët mbrojtës kanë kërkuar kohë që të njihen me aktet dhe për këtë arsye seanca gjyqësore është ndërprerë dhe do të rifillojë sërish në orën 13:30.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar pas një hetimi të SPAK-ut, dhe po përballet me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Ai u mor nga makina e policisë, e cila e transportoi nga Blloku i Sigurisë te "Mine Peza" drejt Gjykatës së Posaçme.

Po ashtu, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, u paraqit në GJKKO, ku është vendosur masa “arrest shtëpie” ndaj saj, e cila po akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Hetimet e SPAK kanë zbuluar se ajo ka përdorur lidhjet me kompanitë dhe OJF-të për të përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme.

GJKKO pritet të vendosë gjithashtu për masat e sigurisë edhe për 6 biznesmenët e tjerë të përfshirë në këtë skemë. Biznesmeni Elman Abule ndodhet në "arrest me burg" për pastrim parash, ndërsa Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha janë në “detyrim paraqitje” për akuzat e korrupsionit aktiv.

Gjatë seancës vlerësimit të masës, anëtarë të PS u mblodhën para GJKKO në mbështetje të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke shprehur solidaritetin e tyre dhe brohoritur në shenjë përkrahjeje.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar më 10 shkurt nga agjentët e BKH-së gjatë një operacioni në zyrat e tij në Bashkinë e Tiranës. Ai akuzohet për krijimin e një skeme korruptive përmes lidhjeve me kompani dhe OJF të drejtuara nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, dhe një grup biznesmenësh, përfshirë Elman Abule, Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.

Në momentin e arrestimit të Veliajt, Xoxa, e cila ndodhej në Itali, ishte njoftuar për masën "arrest shtëpie", e cila u vendos për të nga Gjykata e Posaçme. Ajo u arrestua menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit.

Hetimi i SPAK ka zbuluar se Veliaj dhe bashkëshortja e tij, përmes një rrjeti kompanish dhe OJF-sh, kanë përdorur fonde publike të Bashkisë Tiranë për interesat e tyre personale, duke përfituar më shumë se 1 milion euro. Po ashtu, është zbuluar se Ajola Xoxa ka bërë shpenzime luksoze, përfshirë veshje dhe bizhuteri me vlerë mbi 860 mijë euro, të cilat nuk i ka deklaruar.

Gjatë hetimit, SPAK ka sekuestruar një vilë prej 494 m2 në Qerret, të ndërtuar nga biznesmeni Gentian Sula, dy llogari bankare të Ajola Xoxës me vlerë 869,149 euro, dhe një sasi të konsiderueshme parash të gatshme.

/rtsh.al/