Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka ankimuar vendimin e masës së sigurisë, ku iu komunikua arresti me burg nga Gjykata e Posaçme. Ankimimi është bërë përmes avokatit të tij, Ermir Beta, ku kërkohet lehtësim i masës së sigurisë ndaj Veliajt.
Më 12 shkurt, GJKKO, pas një seance maratonë, vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Veliajn, për akuzën për korrupsion pasiv në 9 raste dhe pastrim parash.
Në hetimet e SPAK Veliaj akuzohej se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, që ndodhet në “detyrim paraqitje”, “kanë krijuar një mekanizëm për marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme."
Vetë Veliaj ka denoncuar disa herë nga burgu i Durrësit se ndaj tij po bëhet një gjyq politik dhe ka hedhur akuza ndaj prokurorit të SPAK Ols Dado se po intimidon dëshmitarët.
/rtsh.al/