RTSH 24 Live

Europë

Valë krimesh nga të miturit në Bosnjë. Vrasja e policit nga një 14-vjeçar, "terrorizëm"

25/10/2024

Valë krimesh nga të miturit në Bosnjë. Vrasja e policit nga një 14-vjeçar, "terrorizëm"

Ministria e Brendshme e Bosnjë-Hercegovinës e ka konsideruar "terrorizëm" sulmin e mbrëmjes së kaluar nga një i mitur kundrejt dy policëve, që rezultoi me një të vdekur.

Adnan Boganoviq (o. Boganovic), zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për kantonin e Una-Sanës, tha se ngjarja ndodhi rreth orës 9 të mbrëmjes.

14-vjeçari hyri në komisariatin e policisë me thikë me vete dhe filloi të godasë policët e pranishëm. Njëri prej viktimave humbi jetën gjatë transportit në spital si pasojë e plagëve të marra, ndërsa oficeri i dytë iu nënshtrua operacionit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autori u arrestua dhe motivet e sulmit të tij mbeten të paqarta. Niveli i sigurisë është rritur në rajonin boshnjak.

Ky nuk ishte incidenti i parë i ditës, pasi të enjten paradite një tjetër nxënës i shkollës së mesme në kanton u qëllua me armë zjarri nga një tjetër nxënës.

Sistemi arsimor i kryeqytetit boshnjak, Sarajevës, është po ashtu nën presion për shkak të telefonatave anonime për ekzistencën e mjeteve shpërthyese në shkolla, që është bërë shpesh shkak për ndërprerjen e mësimit.

Policia e Sarajevës ka ndaluar nëntë persona që i konsideron përgjegjës për telefonatat anonime për bombat në shkolla. "Tetë prej tyre janë të mitur dhe një i rritur,“ u tha gazetarëve zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme.

/rtsh.al/